Olgert Serani 02.10.2014 19:50
Midis 18 propozimeve të sportistëve kandidatë për bursë olimpike për “Rio 2016″ janë përfitues: Daniel Godelli në peshëngritje (fitoi ndaj Romela Begaj dhe Ervis Tabakut); Luiza Gega në atletikë (fitoi konkurrencën me Izmir Smajlaj); Iltjan Nika në çiklizëm (kandidat i vetëm); Anxhela Kashari në not (doli fitues ndaj Klavio Meçes) dhe Ada Demneri në sportin e taekuondosë. KOKSH miratoi sportisten Demneri ndaj kandidatëve Egers Aliu, Donaldo Dizdari dhe Visar Pitushi.
Sipas Federatës Shqiptare të Taekuondos (World), Demneri është sportistja e parë në këtë disiplinë që mbështetet financiarisht për trajnim, trajtim dhe asistencë teknike për të qenë pjesë në “Rio 2016″. Në letër-kërkesën e federatës, sipas KOKSH-it, nëse do të kishte më shumë se 1 kandidat për propozim, Federata duhet të përcaktonte renditjen e propozimeve sipas rezultatit/prioritetit. Gjithashtu, në dosje duhej të vihej në dispozicion edhe profili i sportistit (CV e përmbledhur në anglisht) apo rezultatet e dy viteve të fundit dhe aktivitetin në të cilin sportisti kishte arritur rezultatin (në informacion të përfshihej emri i aktivitetit, data, vendi dhe rezultati në anglisht).
Përsa u përket kritereve të bursës olimpike, sportist i nivelit ndërkombëtar quhet ai që praktikon një sport individual të përfshirë në programin Olimpik. Sportisti duhet të ketë një nivel të konsiderueshëm teknik, i aftë për t’u kualifikuar për Lojërat Olimpike “Rio 2016″. Vërtetimi për nivelin teknik të sportistit duhet të shfaqet përmes rezultateve të marra në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Ata janë sportistë, të cilëve bursa mund t’u sjellë ndryshim të rëndësishëm në trajnimin e tyre dhe të cilët nuk kanë akses në mjete alternative për mbulimin e shpenzimeve për përgatitjen e tyre.
Ndërsa etika sugjeron që sportistët që kanë qenë të dënuar për përdorim dopingu ose sanksionuar për veprime në kundërshtim me standardet e etikës sportive të vendosura nga Karta Olimpike, IOC, Komiteti Olimpik Kombëtar ose qendrat e trajnimit, nuk mund të përfshihen si kandidaturë për bursë.