Gjergj Vyshka 29.01.2015 17:55
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka vendosur që të rrisë bashkëpunimin me Iranin. Gjithçka ka ardhur si fryt i takimit të presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, dhe sekretarit të përgjithshëm të institucionit më të lartë të olimpizmit shqiptar, Stavri Bello, me ambasadorin e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, A. Maxhid Mozafari.
Madje vizita që është zhvilluar dje në mjediset e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka qenë me kërkesë të ambasadorit të Iranit në Tiranë. Sipas njoftimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, biseda e Bezhanit dhe Bellos me ambasadorin Mozafari është përqendruar në idenë e rritjes së bashkëpunimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy Komiteteve Olimpike.
Që do të thotë se gjithçka duhet të bëhet mbi bazën e një protokolli marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Komiteteve Olimpike të Shqipërisë dhe Iranit, i cili do të synojë në shkëmbimin e eksperiencave pozitive në fushën e sportit elitar, në kualifikimin e trajnerëve, në trajnimet e përbashkëta të sportit elitar dhe në mundësinë e organizimit të një kampingu sportiv nga pala iraniane për stërvitjen e ekipeve të të dy vendeve.
Takimi, gjithnjë sipas njoftimit të KOKSH, është zhvilluar në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit, ndërsa u theksua roli i rëndësishëm që sporti luan në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. “Sporti është gjuha që i bashkon popujt, prandaj dhe ne do të synojmë të punojmë në këtë drejtim”, kanë thënë Bezhani, Bello e ambasadori i Iranit në Tiranë, Mozafari.
Nuk duhet harruar që të paktën në volejboll dhe mundje Irani është ndër vende elitare të sportit në botë. E më pas dhe në peshëngritje, boks e disiplinat e tjera sportive. Ndaj sporti shqiptar ka se çfarë të përfitojë nga bashkëpunimi me Iranin, qoftë dhe financiarisht.