Gjergj Vyshka 15.10.2016 13:45
Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, i cili mbrëmjen e së premtes u shfaq në “Fiks Fare” duke rrëfyer skandalet e delegacionit në RIO 2016, ia hedh fajin Agjencisë së Sportit për dëmtimin e Luiza Gegës. Thotë se ajo nuk është kontrolluar nga mjekët shqiptarë, ndërsa KOKSH-i kishte 3 vjet përgatitje për Olimpiadën. Pas kësaj akuze, gazetarët e “Fiks Fare” intervistuan kreun e Agjencisë së Sporteve, Bledar Doçin.
Ai tregoi se sportistët nuk janë mbledhur para olimpiadës, ndryshe nga Pekin 2008 apo Londër 2012. Doçi jep një dokument ku vërtetohet se KOKSH-i i ka dërguar më datë 21 korrik 2016, 10 ditë para olimpiadës, një kërkesë ku thuhej se në delegacion duhej edhe një mjek. Doçi shtron pyetjen se “nëse KOKSH-i ka 3 vjet që përgatitet për Rio 2016-ën, si ka mundësi që një kërkesë të tillë e dërgon vetëm 10 ditë para saj”?
Pyetjes se përse ka më shumë drejtues se sa sportistë në delegacionin olimpik në Olimpiadën braziliane, Doçi ka thënë me ironi se, “”këtë e di Komiteti Olimpik Shqiptar”. Ndërkohë, për kushtet e stërvitjes, apo edhe ndihmat financiare të qeverisë ndaj sportistëve, gazetarët e “Fiks Fare” intervistuan Drejtorin e Sportit në MAS. Vladimir Gjonaj tha se për KOKSH-IN ka dhënë 8 milionë lekë. Nga këto, 3.5 kanë shkuar për pagat dhe pjesa tjetër për Komitetin Olimpik Shqiptar.
“Natyrisht duhen më shumë, por këto para i japim në fillim të vitit”, – ka përfunduar Gjonaj.