Gjergj Vyshka 04.05.2016 09:45
Nga data 25, deri më 29 prill 2016, në të gjithë shkollat e rrethit të Durrësit është zhvilluar Java Olimpike. Gjithçka ka qenë sipas orientimit të Drejtorisë Arsimore Rajonale të këtij qyteti për të bërë veprimtari nëpër shkollat 9-vjeçare.
E tillë ka qenë edhe shkolla 9-vjeçare “Hamza Vlashi” Maminas nën drejtimin e mësuesit të edukimit fizik, ish-trajnerit të njohur të Erzenit, Teutës, Partizanit, Studentit femra e shumë klubeve të tjera në vendin tonë, Agim Doraci.
Pas përshëndetjes së drejtorit të shkollës Ervin Koni, i cili ka folur për vlerat e olimpizmit dhe simbolet e saj, është bërë kalimi simbolik i flakës olimpike nëpër klasa. Janë zhvilluar garat e shpejtësisë në 50 dhe 100 m në atletikë.
Po kështu janë zhvilluar edhe gara e tërheqjes së litarit, ndeshje volejbolli mes mësuesve. Dhe në fund kampionati i minifutbollit i katër shkollave të Maminasit.
Finalet e tij, edhe me dashamirësinë e konsullit të Nderit të Bosnje-Hercegovinës në Shqipëri, Fiqiri Kllari, i cili ka qenë edhe presidenti i Erzenit në futbollin e sallës, janë zhvilluar në kompleksin në Boroke.
Kësisoj Dita Olimpike me të gjithë funksionin e saj është zhvilluar dhe në Boroke.