ASNN – Në një intervistë për mediat e ditës, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, është shprehur i shqetësuar për atë që po ndodh mes Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe federatave të ndryshme sportive, në lidhje me fondin “grant” që akordohet nga buxheti i shtetit për federatat sipas një projekti të përcaktuar nga dikasteri qeveritar. Sipas Bezhanit, në ministri thonë se është lëvruar fondi dhe u ka kaluar federatave.
Por drejtuesit e këtyre të fundit shprehen se nuk kanë asgjë në dorën e tyre dhe në arkat e tyre. Për rrjedhojë është krijuar një atmosferë e paqartë dhe mjaft e tensionuar, pasi asnjë federatë nuk e di sa para do të përfitojë për të bërë veprimtaritë e saj. “Kemi dërguar një shkresë në ministri ku kërkojmë takim për të na sqaruar në lidhje me fondet që do t’’u jepen federatave”, – shprehet kreu i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare, Viron Bezhani.
“Në të njëjtën kohë kemi bërë dhe një takim së bashku me përfaqësuesit e federatave për të gjitha shqetësimet dhe problemet e tyre dhe do të takohemi sërish, – ka vijuar ai. – Në këtë moment është urgjente një takim me ministren, sepse nuk projektojmë dot asnjë veprimtari ndërkombëtare nëse nuk kemi mbështetjen financiare të institucionit.” Është fare e qartë se fondi nuk i kënaq nevojat që kanë federatat për aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shqetësimin i pari e ngriti presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, i cili kujtoi se afro 100 milionë lekë që jepen për basketbollin në një vit nuk mjaftojnë as për pagesa gjyqtarësh dhe shpenzime krejt të rëndomta në organizimin e veprimtarive sportive, e jo më të çosh ekipet përfaqësuese në veprimtaritë rajonale ballkanike, evropiane e më gjerë. Shkurt, një situatë që nuk e përmirëson pozitën e sportit në Shqipëri.