AlbanianSport.com 06/01/2018 15:30
ASNN – Bello: “Këta dy sportistë i kanë arritur normat e kualifikimit për në Lojërat Olimpike Dimërore, shpresojmë dhe për Biçokun të kualifikohet.” Erjon Tola dhe Suela Mëhilli janë përfaqësuesit e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore, që zhvillohen nga data 9, deri më 25 shkurt në Pjongçeng të Koresë së Jugut. Të dy sportistët, të paktën edhe sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, i kanë arritur normat e kualifikimit.
Pritet edhe Marsel Biçoku, ndërsa të tre sportistët kanë qenë përfitues të bursave olimpike për përgatitjen e tyre. Shpresohet në një përfaqësimi dinjitoz, ndonëse pretendimet janë minimale për medalje në Korenë e Jugut. Ndërkohë Lojërat Mesdhetare në Tarragona, si dhe Lojërat Olimpike Rinore në Buenos-Aires janë dy evenimente të tjera, të cilat impenjojnë sportin shqiptar.
Stavri Bello, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, për përgatitjet për në Korenë e Jugut, por për të tjerat, ka dhënë një intervistë për RTSH Sport, të cilën AlbanianSport.com po e sjell në dy pjesë dhe sot është pjesa e parë, ndërsa e dyta, nesër.
– Jemi vetëm një muaj nga zhvillimi i Lojërave Olimpike Dimërore “Pjongçeng 2018”. Cili do të jetë delegacioni i Shqipërisë?
– Delegacioni shqiptar, apo sportistët shqiptarë, kanë gati dy vjet që përgatiten për këtë veprimtari. Ne si Komitet Olimpik Kombëtar Shqiptar nëpërmjet programeve të Solidaritetit Olimpik të 3 sportistët kandidatë i kemi financuar me bursa olimpike. E këta janë Erjon Tola, Suela Mëhilli dhe Marsel Biçoku, të cilëve Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, nëpërmjet Federatës Shqiptare të Skive, u ka ofruar programet e Solidaritetit Olimpik që të stërviten. Sigurisht që këto programe nuk janë të vetmet dhe të mjaftueshme, por ne kemi një fat që dy nga këta jetojnë në Itali, për më tepër në Alpet e Italisë, ku dhe stërviten. Kështu që të dy, si Erjon Tola, ashtu dhe Suela Mëhilli, i kanë arritur normat e kualifikimit. Ka një ndryshim Lojërat Olimpike Dimërore nga ato Verore. Që do të thotë se nëse në Lojërat Olimpike Verore është programi gjithëpërfshirës, ku të gjitha shtetet e botës kanë të drejtë të marrin pjesë nëpërmjet ftesave për ato që nuk janë kualifikuar, këtu nuk ka ftesa. Marrin pjesë vetëm ato sportistë, të cilët arrijnë normat e kualifikimit, pra tregojnë një lloj cilësie sportive. Dhe këto të dy, Erion Tola dhe Suela Mëhilli, i kanë arritur pikët. Shpresojmë që deri në garën e fundit eliminatore, edhe Marseli të ketë mundësi të arrijë normën e kualifikimit dhe ne jemi përgatitur për këtë gjë. Megjithatë dy sportistë janë të sigurt, të cilët marrin pjesë në disiplinën e skive alpine, pra atë të sllallomit gjigant dhe special. Sigurisht që është një disiplinë e vështirë, por dhe e rrezikshme. Këta dy sportistët nuk mendojmë se pretendojnë për medalje, por së paku me kushtet që i kemi ofruar dhe ato vetë kanë në Itali, shpresojmë që të përfaqësojnë Shqipërinë denjësisht.
– Eksperienca e Soçit ka treguar se jo gjithmonë paraqitja ka qenë e mirë. Këtu si do të jetë?
– Për ne është hera e katërt që marrim pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Duhet të kemi parasysh që në Shqipëri ende nuk ekziston infrastruktura sportive për të nxjerrë sportistë të niveleve të Lojërave Dimërore, sepse është mjaft e kushtueshme si disiplinë sportive. Vetë disiplina sportive kushton, kërkon bazë materiale, kërkon infrastrukturë shumë moderne. Megjithatë sportistët shqiptarë që jetojnë në Itali e kanë përfaqësuar Shqipërinë denjësisht, jo me ato rezultate që presim ne, por së paku kanë arritur katër herë ta fusim Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore. Madje Tola është i pari që kërkoi të përfaqësonte Shqipërinë nga Italia. Sigurisht që në Soçi nga dy sportistë vetëm Suela garoi, pasi Tola gjatë stërvitjes pësoi një aksident. Jemi të ndërgjegjshëm që disiplina e skive është e rrezikshme. E mbart me vete rrezikun, sepse mund të themi që në sllallomin gjigant shpejtësia e zbritjes është mbi 100 kilometra në orë. Që do të thotë se është e rrezikshme.
Vijon nesër…