Gjergj Vyshka 14.10.2016 14:20
Viron Bezhani pranoi me zë dhe figurë se Elez Gjoza, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, do që t’i marrë postin. Ai tregon edhe për problemet me kostumet, debatin me Çaljan apo me Sidni Hoxhën. Për Evagjeli Velin thotë se e kanë marrë nga rruga dhe, megjithëse zuri vendin e tetë, ishte shumë e dobët.
Për Luiza Gegën ka deklaruar se i ka plotësuar të gjitha kushtet, ndërsa pranoi se në Rio ka pasur edhe mbyllje dere duke iu referuar ngjarjes mes Elez Gjozës (Presidentit të Peshëngritjes) dhe Leonard Toskës (trajnerit të Briken Çaljes). Bëhet fjalë për ceremoninë e parakalimit, atje ku është kërkuar që presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes të jetë përpara trajnerit Toska.
Fjali të tilla si: “Filluan fushatën se kujtuan se do të bënim zgjedhje në Komitetin Olimpik tani neve”, apo “Nuk është pengesë KOKSH-i, por nuk e di unë se çfarë brekësh vesh atletika…” e “Këta e organizuan. Gudar Beqiraj, Elezi dhe Tan Shyti. Tre janë. Këta janë tre organizatorët e kësaj pune”.
E kësisoj i gjithë ky skandal i vënë nga “Fiks Fare”, që ka zbërthyer presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar me kamera të fshehtë, e vë në diskutim qenien e Viron Bezhanit në krye të olimpizmit shqiptar. Sepse një skandal nuk mund të jetë pa pasoja për të gjithë ato që janë përmendur në atë kamera të Fiks Fare.