AlbanianSport.com 02.12.2015 07:55
ASNN – Kobi Brajënt do të tërhiqet nga basketbolli në fund të këtij sezoni. Lajmin e ka konfirmuar vetë ylli i skuadrës së Los Anxhelos Lejkërs, që ka lëshuar një mesazh për të gjithë admiruesit e tij. “Basketbolli më dha mundësinë të realizoj ëndrrën time, të jem një lojtar i Lejkërsave, ndaj do ta dua përgjithnjë”, – ka thënë sportisti legjendar që ul kështu siparin e një karriere 20-vjeçare.
Më 13 prill, kur në “Stejpëlls Senter” do të luhet ndeshja e fundit sezonale e Los Anxhelos Lejkërs, ajo kundër Jutah Xhezit, Kobi Brajënt do të jetë zyrtarisht pjesë e historisë. Kjo sepse ai ka deklaruar se do të largohet në fund të sezonit nga kampionati më i njohur i basketbollit në botë, NBA-ja amerikane. Duke konfirmuar tërheqjen nga sporti pas 20 sezonesh me fanellën e Lejkërs, i mbiquajtur “The Black Mamba”, ka deklaruar: “Zemra ime mund ta durojë betejën dhe mendja ime mund të menaxhojë lodhjen, por trupi im është ai që më thotë se koha për t’u larguar nga sporti”.
Ylli i Lejkërsave është një nga lojtarët më të spiktuar te viteve të fundit, të këtij brezi, një njeri që ndryshoi lojën e basketbollit në NBA. “I dashur basketboll, jam gati të tërhiqem nga ty, – ka vijuar ai në mesazhin e dhënë admiruesve të tij dhe të sportit të basketbollit. – Ky sport më dha mundësinë të realizoj ëndrrën time, të jem një lojtar i Lejkërsave, ndaj do të të dua përgjithnjë. Por tani që po të lë, nuk do të mund të të dua më me aq shumë pasion.”
Kobi Brajënt është padyshim një nga legjendat e NBA-së, një ngë basketbollistët e paktë që ka hyrë në zemrat e të gjithë tifozëve të basketbollit amerikan. Ai është një nga ikonat e këtij sporti, teksa fanella e tij, fillimisht me nr. 8 e më pas me nr. 24 është nga më të shiturat në botë, në të gjitha kohërat. Një basketbollist që në karrierën e tij fitoi 5 tituj “kampion” me Lejkërsat dhe tashmë në moshën 37-vjeçare, pas shumë betejash të fituara vendos të tërhiqet nga sporti.