Gjergj Vyshka 12.04.2016 10:45
Klubet e kryeqytetit në volejboll meshkuj e femra, ose më saktë ato që ndeshjet i luajnë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, e kanë korrigjuar dje Federatënë Shqiptare të Volejbollit (FSHV). Në Rregulloren e Brendshme & Kodi i Etikës dhe Rregullorja e Disiplinës në vitin 2011 në Kapitullin 1 për Veprimtaritë Zyrtare dhe Kushtet Teknike në nenin 1.9.6 thuhet: “Të gjitha skuadrat e kryeqytetit që i zhvillojnë ndeshjet e tyre gjatë Kampionatit Kombëtar në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në rast se do të jenë pjesëmarrës në fazën finale të “play-off”-it do t’i zhvillojnë ndeshjet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” salla 1 Tiranë”.
I njëjti nen është përsëritur edhe më 2014-ën në Rregulloren e Brendshme të Federatës Shqiptare të Volejbollit pikërisht në Kapitullin e parë për Veprimtaritë Zyrtare dhe Kushtet Teknike, ndërsa në nenin 1.9.4 thuhet: “Të gjitha skuadrat e kryeqytetit që i zhvillojnë ndeshjet e tyre gjatë kampionatit kombëtar në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në rast se ato do të jenë pjesëmarrëse në fazën finale të “play-off”-it (për vendin e parë dhe të dytë) do t’i zhvillojnë ndeshjet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” salla 1 (salla qendrore) Tiranë”. Mirëpo në kalendarin e ardhur nga FSHV-ja, si për Studentin, ashtu dhe Barletin Volej ka qenë salla Nr. 2 për ndeshjet gjysmëfinale.
Sepse, sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola, skuadrat në kampionat i vendosin vetë fushat dhe vetëm për finalet mund të jetë salla kryesore. Por me një njoftim të Federatës Shqiptare të Volejbollit është lajmëruar që sot Studenti do të luajë në sallën kryesore të “Asllan Rusit”, gjë të cilën do ta bëjë edhe Barleti Volej të mërkurën. Pasi nuk ka ndodhur në asnjë rast që gjysmëfinalet e volejbollit të Play-off, meshkuj dhe femra, të dalin jashtë sallës kryesore. Ndaj klubet, duke e zënë “mat” edhe me rregullore, kanë korrigjuar Federatën Shqiptare të Volejbollit, e cila dje ka bërë zyrtare dhe renditjen e kampionatit.
Për meshkuj: 1) Studenti 41 pikë, 2) Vllaznia 40 pikë, 3) Tirana 37 4) Farka Volej 32. Për femra 1) Barleti Volej 39 pikë (40-4 setavarazhi, 1087-628 pikët e seteve dhe 1.730 koeficienti, 2) Tirana 39 pikë (40-4 setavarazhi, 1081-630 pikët e seteve, 1.715 koeficienti, 3) Skënderbeu 25 pikë, 4) Teuta 21 pikë. Në një farë mënyre as salla Nr. 2 e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, por as Salla Sportive “Fahrie Hoti” nuk duken të përshtatshme për Radio-Televizionin Shqiptar për transmetimin e ndeshjeve. Që do të thotë se “play-off”-in i volejbollit, që nis sot me meshkujt, do të mbesë thjesht për publikun që do të jetë në sallë…
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Kalendari i gjysmëfinaleve të
“play-off”-it për titullin “kampion”
Të martën, 12 prill 2016:
Studenti – Farka Volej 19:00
Vllaznia – Tirana 19:00
Të premten, 15 prill 2016:
Farka Volej – Studenti 17:00
Tirana – Vllaznia 19:00
Të hënën, 17 prill 2016:
(nëse do të jetë e nevojshme)
Studenti – Farka Volej 19:00
Vllaznia – Tirana 19:00
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Kalendari i gjysmëfinaleve të
“play-off”-it për titullin “kampion”
Të mërkurën, 13 prill 2016:
Tirana – Skënderbeu 14:00
Barleti Volej – Teuta 17:00
Të shtunën, 16 prill 2016:
Skënderbeu – Tirana 14:00
Teuta – Barleti Volej 17:00
Të martën, 18 prill 2016:
(nëse do të jetë e nevojshme)
Tirana – Skënderbeu 14:00
Barleti Volej – Teuta 17:00