AlbanianSport.com 30/10/2021 15:55
ASNN – E gjithë vëmendja e futbolldashësve shqiptarë këtë të shtunë do të jetë te ndeshja “klasike” e Shqipërisë që do të luhet në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, midis Vllaznisë dhe Tiranës. Përballen dy nga skuadrat më të njohura në Shqipëri dhe mbi të gjitha dy nga pretendentet për titullin, që këtë vit duket se ka shumë kandidatë. Tani për tani rruga e skuadrës kryeqytetase ka hasur më pak pengesa se Vllaznia, por kampionati është ende i gjatë dhe është gati të ofrojë sërish shumë surpriza.
Duke analizuar statistikat e kampionatit, Tirana dhe Vllaznia nuk janë skuadra që dominojnë në zotërimin e topit, sepse Tirana ka një mesatare prej pak më shumë se 50 %, ndërsa mesatarja e zotërimit të topit të Vllaznisë është 46.2%. Megjithatë, kjo e dhënë e zotërimit të topit nuk ua heq dy skuadrave aftësinë e spikatur për të prodhuar goditje drejt portës kundërshtare. Krahasuar me javën e kaluar, në fakt, Tirana ka ruajtur kryesimin në kampionat, pasi ka gjuajtur 80 herë drejt portës kundërshtare.
Ndërsa Vllaznia e ka arritur Partizanin në vendin e dytë në këtë renditje, me 77 goditje drejt portës. Nga ana tjetër, ka një ndryshim në cilësinë e goditjeve: Tirana ka shënuar golin në 37.5% të goditjeve, ndërsa Vllaznia vetëm 30% të rasteve. Tirana është skuadra që pëson më pak gjuajtje në kampionat, me vetëm 34 goditje, ndërsa Vllaznia është e katërta me 59 goditje. Kjo shifër ndikon në ecurinë e skuadrave në kampionat: mbrojtja shumë e mirë e Tiranës, padyshim e para për më pak gjuajtje të pësuara, tani për tani është një faktor vendimtar në ecurinë e këtij kampionati.
Në fakt, të dhënat sesi dy skuadrat rikuperojnë topin janë interesante. Vllaznia është e dyta në renditjen për topa të rikuperuar (ndërhyrje në trajektoret e topit), 257, ndërsa Tirana është e teta në këtë renditje me 209 rekuperime. Ndërkaq, kjo e dhënë konfirmohet në sasinë e dueleve mbrojtëse (përpjekje për të ndërhyrë në duele): Tirana është e dyta në kampionat me 474 duele në mbrojtje, Vllaznia e 5-ta me 414. Kjo do të thotë se Vllaznia mbrohet më shumë në repart se Tirana e cila në vend të kësaj zgjedh të luajë shumë një për një kur nuk e ka topin në zotërim.
Shënimi i fundit për trajnerët. Pas Skënderbeut, që është skuadra që ka bërë më pak zëvendësime në kampionat, Tirana dhe Vllaznia bëjnë shumë pak zëvendësime: Vllaznia 22 dhe Tirana 23. Edhe pse renditja e sheh Tiranën përpara të tjerave, statistikat e Kategorisë Superiore tregojnë një ekuilibër të madh në këtë kampionat, ku skuadrat ndryshojnë çdo javë pozicione në renditjen specifike. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm, sepse do të thotë se kampionati ende duhet të thotë se cilat janë vlerat reale të skuadrave.