AlbanianSport.com 26.04.2016 12:55
ASNN – Pas Lindjes së Mesme, edhe Lindja e Largët e ka hedhur vështrimin drejt sportit ndërkombëtar. Është grupi “Evergrande” ai dëshiron të investojë në Premier Ligën Angleze dhe Kampionati Amerikan të Futbollit (Major League Soccer) për të krijuar një model të ngjashëm me arabët e “City Football Group”.
Mësohet se kjo kompani kineze, që ka në pronësi klubin e Guangzhou Evergrandes, për të berë realitet këtë investim në futbollin anglez dhe atë të SHBA do të ketë përkrah edhe Xhek Ma’në, themeluesin dhe aksionerin kryesor të “Alibaba”-s, kompania më e madhe e blerjeve në Internet.
Sipas burimeve të ndryshme që janë në dijeni të këtyre planeve, për momentin nuk bëhet publik emri i klubit anglez për të cilin mendohet se “Evergrande” ka shfaqur interes. Përsa i përket klubit në MLS, flitet se “Evergrande” ka shfaqur interes për atë që po krijon David Bekhami në Majemi.
Por nuk përjashtohet mundësia e formimit të një klubi të ri për të zgjeruar akoma më shumë kampionatin amerikan të futbollit. Tregu i Amerikës së Veriut konsiderohet si një objektiv strategjik për qeverinë e si rrjedhojë edhe biznesin kinez. Muajt e fundit një sërë kompanish të rëndësishme të vendit nga Lindja e Largët kanë bërë blerje të rëndësishme në fushën e sportit dhe argëtimit në SHBA dhe Evropë.