AlbanianSport.com 09/01/2018 07:00
ASNN – Ndonëse 19 vjeç, kampioni i botës mendon se ka bërë gjithçka duhet për ta fituar. “Nëse do ta fitoj, nuk e di, por e di që së paku kam bërë gjithçka për skuadrën dhe Kombëtaren për ta fituar atë”. I këtij mendimi është 19-vjeçari Kilian Mbapè, i cili thotë se e meriton “Topin e Artë” këtë vit, pavarsisht se Kristiano Ronaldo e Luka Modriç mbeten favoritë për këtë çmim.
Sulmuesi francez shkëlqeu gjatë këtij viti si në kampionatin francez dhe në Kupën e Francës me skuadrën e tij të Paris SG, por nga ana tjetër triumfoi në Botërorin e Rusisë me përfaqësuesen franceze duke fituar titullin e kampionit të botës. Madje Mbapè ishte një nga më të mirët për “Gjelat” francezë, sepse realizoi 4 gola dhe realisht ishte futbollisti më i spikatur i Francës.
Edhe pse në arritjet e tij vjetore mungon trofeu i Ligës së Kampioneve, Mbapè mendon se ai duhet të jetë fitues i “Topit të Artë”, pavarësisht se Kristiano Ronaldo e Luka Modriç mbeten favoritë për këtë çmim. Edhe pse 19 vjeç, ai e dëshiron fort këtë trofe individual, si një “busull” për sukseset e ardhshme në karrierën e tij. Sezonin e shkuar, ai ishte autor i 21 golave me Paris SG dhe kjo e shton dozën e pretendimeve të tij.
Tashmë futbollisti thotë se e ka bërë të vetën, duke fituar gjithçka gjatë këtij viti, dhe se u mbetet gazetarëve profesionistë të tregojnë vlerat e tyre në votim. Kjo është një sfidë e Mbape për ata që kanë të drejtën e votës. “Nëse do ta fitoj, nuk e di”, – u shpreh Mbape për Agjencinë Franceze të Lajmeve “AFP”, -por e di që së paku kam bërë gjithçka për skuadrën dhe Kombëtaren për ta fituar atë”.
“Kam bërë gjithçka deri në ditën e fundit të votimit. Nuk do të mërzitëm, gjithçka që mund të ndodh do të jetë një bonus, në fund unë nuk mund të votojë në vend të njerëzve”, – përfundoi talenti francez, që për moshën që ka është në rrugën e duhur për t’u bërë një prej futbollistëve më të mëdhenj në botë.