AlbanianSport.com 05.07.2015 07:55
ASNN – Kili ka fituar për herë të parë në shtëpinë e vet, Kupën e Amerikës. Pas rezultatit 0-0, në 120 minuta lojë, fatin e takimit, Kili-Argjentinë e kanë vendosur 11-metërshat. Për argjentinasit gabojnë nga pika e bardhë Higuain e Banega. Kilianët fitojnë 4-1 dhe ngrenë trofeun. Kështu, më në fund, Kili ka prishur magjinë 99-vjeçare.
Për herë të parë në histori, futbollistët kilianë fitojnë Kupën e Amerikës. Kili entuziazmon publikun, duke shfaqur një lojë tepër të mirë, futbollistët luajnë me zemër të drejtuar me mjeshtëri nga Sampaoli. Padyshim që në fushë më të mirët ishin Medel, Diaz, Vidal e Sançez, të cilët lanë në hije katër herë fituesin e “Topit të Artë”, Lionel Mesin.
Në Santiago kombëtarja e të kuqve pas, 120 minutash lojë, që u mbyllën 0-0 e më pas goditjeve të 11-metërshave, arrin të mposhtë formacionin argjentinas 4-1 dhe të ngrejë për herë të parë Kupën e Amerikës. Ndeshje jo shumë entuziaste, por e pasur në emocione, sakrifica, mund dhe lojtarë që fitojnë miliona euro në klubet ku luajnë.
Në fund fiton skuadra që e kërkoi më me ngulm suksesin. Vazhdon raporti negativ i Higuainit me 11-metërshat, që humbet ato vendimtare. Vazhdon tabuja e Mesit, i cili me përfaqësuesen argjentinase nuk arrin të shkëlqejë ashtu siç bën me klubin katalan, Barcelonën.
Kili fiton me meritë kupën e Amerikës dhe shkruan emri në faqet e librit historik të kësaj veprimtarie.