Gjergj Vyshka 08.12.2014 19:50
Një tjetër veprimtari sportive është zhvilluar dje në mesditë në Tiranë, teksa bëhet fjalë për Kupën e Shqipërisë në Kikboks. Një organizim shembullor i Federatës Shqiptare të Kikboksit me president Xhavit Bajramin dhe Sekretar të Përgjithshëm Bledar Kukën. Madje aktiviteti është ndjekur dhe nga Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, i cili ka bashkëbiseduar dhe me presidentin Bajrami.
Ky i fundit, edhe duke qenë se ky sport i ri ka sjellë medalje ndërkombëtare, ka kërkuar një shikim dhe rritje të fondit grand për vitin 2015. Në përfundim të kësaj veprimtarie, Tomori është fitues i Kupës së Shqipërisë, teksa ka nxjerrë 6 fitues, të cilët janë Albi Baçi, Erdis Malaj, Eliot Toti, Mateo Koroni, Pandeli Malaj dhe Klevis Asani. “Java Gym” ka nxjerrë 4 fitues, që janë Brus Jakupi, Stiven Jakupi, Osman Kadri dhe Kledi Kopo.
Mandej “Fight Club Vlora” ka pasur 2 fitues, që ishin Neritan Zanaj dhe Edison Shenaj. Albpetroli dhe Apolonia, në një skuadër të përbashkët, kanë nxjerrë dy fitues dhe ata ishin Anxhelo Gjoka e Ermal Pasho. Po dy fitues ka pasur dhe “Fight Club Egnatia”, Ervis Plaku dhe Nada Beheluli. Dy edhe “Elite Sport Akademi”, që ishin Adela Osmani e Ervis Balla.
Përsëri dy fitues, por këtë herë për “Nitro Team Ferizaj”, që ishin Rinor Hyseni dhe Korab Sinani. Ndërkaq “Tempulli i Hekurt Real Deal Gjirokastër” ka nxjerrë fitues vetëm Majkëll Kalemin, kurse “Wushu Albania vetëm Albenc Hoxhën. Tashmë më 27 dhjetor 2014, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm Kuka, do të zhvillohet Asambleja Vjetore e Federatës Shqiptare të Kikboksit.