AlbanianSport.com 02/02/2019 16:35
ASNN – Kampioni i botës në kikboks, Adriatik Cami ka marrë vlerësimet maksimale nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, për rezultatet e arritura. Ai e ka quajtur sportistin një ambasador të mirë të Shqipërisë në botë, si dhe frymëzues për brezat e rinj. Projekti i Camit për të ndërtuar një shkollë kikboksi në Durrës është përshëndetur nga kreu i shtetit.
Suksesi i arritur nga kikbokseri shqiptar, Adriatik Cami, duke u shpallur “kampion bote”, nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga presidenti shqiptar, Ilir Meta. Kreu i shtetit shqiptar është takuar me kampionin e botës, duke i shprehur mirënjohjen për rezultatet e tij dhe mesazhin që ai përcjell për brezin e ri. “Sportistë të tillë, janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë”, – ka thënë presidenti Meta.
“Suksesi ndërkombëtar i Camit, mbetet gjithmonë frymëzues për brezat e rinj”, – ka shtuar ai. – Menjëherë pas fitimit të titullit “kampion bote” në kikboks, Adriatik Cami ka deklaruar se nuk do të vazhdojë më të ushtrojë këtë sport. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk do të jetë më pranë kikboksit. Në një intervistë të dhënë për RTSH Sport, Cami ka zbuluar planet e tij për të ardhmen.
I vendosur tashmë në Durrës, ai kërkon të realizojë një projekt. “Dua të ndërtoj një shkollë sporti në Durrës ku fëmijët, por jo vetëm të gjithë ata që duan, të ushtrojnë kikboksin të kenë mundësi për të mësuar”, – ka thënë kampioni Cami.