Gjergj Vyshka 28.12.2014 19:50
Miratohet sekretari i ri i Federatës, Bledar Kuka, si dhe plotësimi i vendeve vakant në kryesi. Federata Shqiptare e Kikboksitka zhvilluar dje në ambientet e ish-kompleksit “Dinamo” analizën e saj vjetore. Në fakt ishte parashikuar që kjo analizë të zhvillohej në ora 10:00, por, edhe për arsye të largësive të delegatëve të shoqatave dhe klubeve anëtare të kësaj Federatës, ajo ka nisur me plot dy orë vonesë. Përtej kësaj, asambleja e zhvilluar në sallën e mbledhjeve të ish-kompleksit është dukur sikur është bërë në një frigorifer. Aq sa presidenti i Federatës Shqiptare të Kikboksit, Xhavit Bajrami ka deklaruar se herë tjetër mund të bëhet kjo analizë, apo dhe kjo asamble në një ambient të ngrohtë.
Përtej kësaj, në analizën vjetore të Federatës Shqiptare të Kikboksit kanë munguar përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e ato të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në fakt, Ministria e Arsimit dhe e Sportit, të paktën edhe sipas presidentit Bajrami, por dhe Sekretarit të ri të Përgjithshëm, Bledar Kuka, ka pranuar se ekziston një letër që më 2013-ën, kohë në të cilën ka qenë zëvendësministër Salid Tagani, që e ka njohur këtë Federatë. Dhe në këto kushte, gjithçka sipas asaj që ka rrëfyer Bajrami dhe Kuka për delegatët, drejtori i sporteve në MAS, Vladimir Gjonaj, ka premtuar se do të shohë mundësinë e akordimit të grantit për këtë federatë në vitin 2015.
Në raportin e tij, presidenti Bajrami do të përmendte fakti që deri më tani gjithçka është bërë me forcat dhe vullnetin e të gjithëve për ta bërë këtë sport në vendin tonë. “Më duhet të them, – ka deklaruar Bajrami, – se ka qenë një vit i suksesshëm. E kemi nisur më 2013-tën nëpër palestra, kurse veprimtarinë më të rëndësishme e kemi bërë më 6 mars 2014 në Sallën Sportive “Farie Hoti”. Ishte një veprimtari atje ku pamë se sa i pëlqyer mund të jetë ky sport për të tjerët, ndërsa kanë qenë 80 sportistë në kampionatin e parë kombëtar, duke futur këtu dhe vajza. Veprimtaritë i kemi bërë me forcat tona, pa mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pavarësisht se ligjërisht jemi në rregull.”
“Presim një përgjigje pozitive për mbështetje, sepse ata duhet ta shohin këtë punë të suksesshme tonën njëvjeçare, e cila ka pasur kulmin e saj në Kampionatin Botëror të Spanjës, atje ku u morën tre medalje ari, – ka vijuar ai. – Ishin dy për të rinj dhe një të rriturit, ndërsa duhet të përmendim këtu dhe Edison Shehajn, Brus Jakupin, Frenklin Myftarajn dhe Julian Alla. Mediat e kanë publikuar këtë veprimtari dhe ato që kemi bërë që më pas, që nga ajo në Vlorë në shtator, apo dhe Kupën e Shqipërisë që me meritë e fitoi Tomorin. Për 2015-tën kemi pjesëmarrjen në Portugali në Botërorin që do të mbahet nga 29 prilli, deri më 4 maj, ndërsa nga data 31 janar, deri më 2 shkurt, unë do të përfaqësoj Shqipërinë në Kongresin Botëror në Pragë.”
“Promovimi i këtij sporti të jetë i kujdesshëm, kurse shoqatat të punojnë me shumë për të pasur një uniformë, – ka theksuar presidenti i kikboksit shqiptar. – Ato shoqata që mungojnë më vjen keq që nuk janë këtu”. Sa për buxhetin, Bajrami ka thënë që Botërori është përballuar nga kompania “Erzeni” me një shumë prej 3,000 eurosh. Jo vetëm kaq, por në mungesë të një ringu, ka pasur shpenzime ekstra 20,000 lekë të reja për vendosjen dhe 18,000 lekë të reja për transportin, kurse 15,000 lekë të reja i ka marrë salla. “Veprimtaritë kombëtare janë bërë me taksat e regjistrimeve të skuadrave, kurse pjesa tjetër nga presidenti”, – ka thënë Kuka.
Kurse Bajrami ka falënderuar Arben Markajn dhe Leo Kaprin për ndihmën e tyre në bazën materiale. Në përfundim të asamblesë klubet kanë miratuar kandidaturën e sekretarit të përgjithshëm Bledar Kuka, si dhe kanë bërë plotësimin e vendit vakant në kryesi, pa thënë që janë pranuar dhe shoqatat e reja si Butrinti, Albpetrol, “Fight Klub Egnatia”, “Elite Sport Akademi” dhe “Java Gym”. Dhe në këto kushte nga 9 anëtarë, tashmë Federata Shqiptare e Kikboksit ka 15 të regjistruar, ndërsa 2015-ta pritet të jetë përsëri i suksesshëm për këtë sport, shoqëruar dhe me medalje olimpike. Ndërkohë nga anëtarët është kërkuar më shumë trajnim për gjyqtarët, ndërsa këtu është mbyllur dhe analiza vjetore e kikboksit shqiptar.