AlbanianSport.com 15/11/2024 23:40
ASNN – Për herë të fundit në ngjyrat kuqezi, 5 futbollistë i japin të shtunën “lamtumirën” Kombëtares. Do të jetë një mbrëmje e veçantë, e mbushur me sukses, emocione dhe krenari. Në fakt, kështu mund të përshkruhen vitet e tyre me fanellën kuqezi.
Fjala është për Sokol Cikalleshin, Klaus Gjasulën, Bekim Balajn, Odise Roshin dhe Ermir Lenjanin, me “pesëshen” kuqezi që kanë vendosur të tërhiqen nga ekipi kombëtar pas një përvoje të gjatë.
Të shtunën, përpara fillimit të ndeshjes Shqipëri-Çeki, të vlefshme për Ligën e Kombeve, që nis në ora 20:45, Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar të organizojë një ceremoni lamtumire për ish-futbollistët.
Pesë emrat e përmendur më sipër do zbresin në fushën e “Arenës Kombëtare” në Tiranë për herë të fundit përpara një stadiumi të tejmbushur, duke përshëndetur tifozët me një lamtumirë që e meritojnë.