Albaniansport.net 26.01.2016 19:50
ASNN – Kosova nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e basketbollistit më të mirë të saj në ciklin e parë eliminator në të cilin do të marrë pjesë, shkruan në numrin e sotëm të saj e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”. Organizatori Kenan Spahiu (Sipahi) vazhdon të mburret që është nga Kosova, por ka bërë të ditur se edhe për ca kohë do të vazhdojë të luajë për Turqinë. 20-vjeçari Spahiu është hëpërhë pjesë e skuadrës kampione të Turqisë, Karshijaka.
Pritet që në të ardhmen e afërt basketbollisti i lindur në Prishtinë të jetë organizatori i parë i përfaqësueses së Turqisë. Përfaqësuesja e të rriturve të Kosovës në basketboll të premten ka mësuar kundërshtarët për Eliminatoret për “Eurobasket 2017”. Prej 31 gushtit deri më 17 shtator, Kosova do të garojë në Grupin E të Eliminatoreve, ndërsa kundërshtarë do t’i ketë Slloveninë, Ukrainën e Bullgarinë dhe do të luajë gjithsej 6 ndeshje.
Kjo është kjo pjesëmarrja e parë e Kosovës në Eliminatoret e Evropianit të basketbollit. rajneri Arben Krasniqi menjëherë ka nisur punën për të formuar një skuadër sa më cilësore. Ai ka bërë të ditur se do të kontaktojë edhe Spahiun. Por, Spahiu thotë se nuk dëshiron që të interpretohet sikur ai nuk ka dëshirë të vijë të luajë për Kosovën apo se nuk është duke menduar për këtë. Por jep edhe argumentet se pse do të vazhdojë të luajë për Turqinë, që është forcë në Evropë për basketboll.
“Ky është hapi i parë për Kosovën që të inkuadrohet në arenën ndërkombëtare, ka deklaruar ai për të përditshmen në fjalë. – Duhet të tregohet në arenën ndërkombëtare ku janë ekipet e forta. Unë si organizator kam deklaruar se jam pjesë e një projekti të shtetit dhe federatës turke. Mburrem si kosovar dhe mundohem që të eci me kohën. Federata e Turqisë më ka dhënë shumë raste, më përkrah për shumë vite, për plot 9 vite dhe tash pret që të jam organizatori i përfaqësueses.”