Gjergj Vyshka 08.08.2016 08:00
ASNN – Ka shkruar historinë e sportit të Kosovës dhe atij shqiptar në përgjithësi dhe, për Majlinda Kelmendin, ky triumf është më i rëndësishëm sesa sporti. “Kjo do të thotë shumë, veçanërisht për fëmijët, pasi unë u kam vërtetuar atyre se, edhe përtej luftës, nëse e dëshirojnë diçka, mund ta arrijnë. Nëse duan të bëhen kampionë olimpikë, ata mund të bëhen.”
Ky ishte edhe mesazhi i kampiones së parë olimpike, duke folur pas suksesit të arritur mbrëmë në Rio. Ka arritur një triumf historik dhe, me të drejtë, Majlinda Kelmendi, nuk i ka përmbajtur lotët. “Jam kaq e lumtur, – ka thënë ajo. – Për të qenë e sinqertë, erdha këtu për medaljen e artë, por kjo është një çmenduri. Jam kaq e lumtur për veten, për trajnerin tim, për gjithë vendin tim.”
“Është hera e parë që Kosova merre pjesë në Olimpiadë dhe, të marr një medalje të artë që me herë të parë, kjo është diçka e jashtëzakonshme”, – ka shtuar Kelmendi. Për kampionen e parë olimpike në histori të Kosovës, ky triumf është më i rëndësishëm sesa sporti. “Kjo do të thotë shumë, – ka pohuar xhudistja pejane. – Njerëzit, veçanërisht fëmijët, më shikojnë si heroinë.”
“Unë u kam vërtetuar atyre se, edhe përtej luftës, edhe pse i kemi mbijetuar luftës, nëse e dëshirojnë diçka, mund ta arrijnë, – vijoi ajo. – Nëse duan të bëhen kampionë olimpikë, ata mund të bëhen. Edhe pse vijmë nga një vend i vogël, nga një vend i varfër, ne jemi të fortë.” Majlinda Kelmendi mposhti në finale të kategorisë së peshës trupore deri në 52 kg, italianen Xhufrida.