AlbanianSport.com 31/05/2019 14:05
ASNN – Trajneri i përfaqësueses së Kolumbisë, Karlos Keiroz, ka zbuluar listën me 23 lojtarët e tij që do të marrin pjesë në Kupën e Amerikë, në të cilën bien në sy emra të tillë si Hames Rodrigez, Falkao, Garcia apo Duvan Zapata.
“Kam zgjedhur lojtarë me karakteristika të ndryshme që më lejon të kem më shumë opsione në lojë, sidomos mesfushorët janë të ndryshëm nga njëri-tjetri” – ka thënë Keirozi. – Secili do të ketë pozicionin e vet.”
“Nuk ka kohë për eksperimente në këtë Kupë Amerike. Kemi 15 ditë kohë për t’u përgatitur, për t’u bërë më të fortë kundër Argjentinës”, – ka përfunduar trajneri portugez i përfaqësueses së Kolumbisë, Karlos Keiroz.
Ndërkaq, tek Argjentina, është Sergio Aguero ai që ka dalë në mbrojtje të Lionel Mesit, duke thënë se ky i fundit “e do ekipin kombëtar”. Futbollisti foli gjatë një konference për shtyp në kompleksin ku po përgatitet përfaqësuesja argjentinase në prag të Kupës së Amerikës.
“Lionel erdhi, dhe ne të gjithë e dimë se kur vjen ai, dëshira që ai ka dhe lumturia që ai transmeton është diçka shumë thelbësore, – ka vijuar Aguerro. – Ne e dimë shumë mirë se ai e do ekipin kombëtar. Shpresojmë që në këtë Kupë Amerike, për të mirën e të gjithëve të dalim mirë.”