AlbanianSport.com 31.10.2015 19:50
ASNN – Një ditë e bukur dhe shumë mbresëlënëse sportive është zhvilluar dje në Kavajë. Nuk ka qenë thjesht e konceptuar me simpoziumin e mirëpërgatitur në çdo detaj me temë “Roli i Edukimit Fizik në ndërgjegjësimin për një jetë të shëndetshme fizike e sociale të brezit të ri”, por dhe me aktivitete të shumta fizkulturore-sportivo, të cilat u zhvilluan në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” të Kavajës. Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm autoritetet më të larta të sportit shqiptar. Që nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, tek dy zëvendësministrat e Arsimit dhe Sportit, Arben Mazniku dhe Rauf Dimraj e deri tek Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni Plarent Ndreca kanë qenë të pranishëm në këtë aktivitet.
Atje ku nuk ka munguar dhe drejtori i sporteve në MAS, Vladimir Gjonaj, apo dhe kryetari i Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi. Në gjimnazin e Kavajës fjalën e mirëseardhjes e ka mbajtur drejtoresha e shkollës, Rovena Xeka. Të pranishmit më pas kanë asistuar në një cikël aktivitetesh të larmishme fizkulturore e sportive në palestrën e shkollës dhe në terrenin e hapur. Kjo gjallëri ka surprizuar aq shumë Maznikun dhe Ndrecën, të cilët kanë luajtur dhe vetë me nxënësit. Të pranishmit kanë bërë një vizitë edhe më mjediset e muzeut të shkollës, ku, përveç të tjerave, një vend të rëndësishëm kanë pasur edhe fotot e sportistëve cilësorë dhe mësuesve të shquar të Edukimit fizik e trajnerëve plot reputacion që ka nxjerrë gjimnazi “Aleksandër Moisiu”.
Janë figura që kanë nderuar Kavajën dhe Shqipërinë në aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare, madje jo vetëm në futboll, por edhe në sporte të tjera. Të tillë si Selaudin Maxhuni, Latif Kumbaro, Kristina Kosova, Agim Arkaxhiu, Bujar Sakja, Altin Rraklli e deri te më i fundit Andi Lila. Nga mjediset e shkollës është kaluar në sallën e re moderne të Pallatit të Kulturës “Kavaljon”, ku janë mbajtur edhe punimet e simpoziumit. Në këtë simpozium ka përshëndetur në emër të KOKSH-it, z. Viron Bezhani. Pas kësaj përshëndetjeje janë laureuar me çmimin “Mirënjohje” nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar 5 figura të shquara të edukimit fizik për kontributet e tyre të mëdha. Pikërisht Selaudin Maxhuni, Haki Arkaxhiu, Fiqret Hylviu, Kristina Kosova dhe Agim Arkaxhiu, si dhe pesë nxënës dhe sportistë elitarë që përfaqësojnë aktualisht Kavajën e Shqipërinë në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për Leonardo Kollçaku, Andi Efica, Ergi Shijaku, Barabara Jonuzi dhe Mario Dajsinani. Referatin specifik mbi temën që ka pasur ky aktivitet e ka mbajtur Rauf Dimraj. Madje reforma e re e ndërmarrë nga MAS për shtimin nga dy në tre orë të edukimit fizik ka bërë që Zv/ministri i Sportit Rauf Dimraj të qëndrojë edhe më gjatë pas simpoziumit në një takim edhe më specifik këshillimor me kuadrot e edukimit fizik të të gjithë shkollave të rrethit të Kavajës. Atje ku janë shkëmbyer mendime mjaft të vlefshme me praktikat e reja që kanë nisur të aplikohen që nga ky sezon shkollor 2014-2015 që sapo ka nisur. Kjo ditë sportive është mbyllur edhe me dy ceremoni të thjeshta e kuptimplote, atje ku është dhënë titulli “Mirënjohje e qytetit” Ylli Sinani.