AlbanianSport.com 21/10/2021 18:40
ASNN – Afro 40 % e 25 ndeshjeve të 5 javëve të para janë luajtur në fushë “asnjëanëse”. Problemet me infrastrukturën sportive kanë bërë që në këtë fillimsezoni, kampionati të shndërrohet në një garë me valixhe në dorë. Kjo pasi plot 11 nga 25 takimet e deritanishme të Kategorinë Superiore janë zhvilluar në fushë asnjanëse dhe dukuria pritet të vazhdojë.
Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria Superiore, përgatitet të luajë këtë fundjavë ndeshjet e javës së 6-të të tij dhe, përveç konkurrencës së ngjeshur, teksa vetëm Tirana e ka kapërcyer pragun dyshifror të pikëve, 11, dhe 9 ekipet e tjera janë ngjeshur në kuotën e 2 deri në 9 pikëve, ky fillimsezoni ka spikatur edhe për një fakt tjetër.
Problemet me infrastrukturën sportive kanë bërë që në këtë fillimsezoni, kampionati të shndërrohet në një garë me valixhe në dorë, pasi plot 11 nga 25 takimet e deritanishme të zhvillohen në fushë asnjanëse. Është një takim i javës së parë, dy takimet të javës së dytë, plot 4 të javës së 3-të, dy të javës së 4 dhe po ka të javës së 5-të që janë zhvilluar në fusha alternative.
Kjo për shkak se skuadra vendase nuk ka patur në dispozicion një fushë të sajën për ta luajtur ndeshjen në shtëpi. Kastrioti me 3 ndeshje, por edhe Dinamo, Kukësi dhe Teuta me nga dy ndeshje janë skuadrat që e kanë vuajtur më tepër këtë fenomen negativ, ndërsa nuk ka shpëtuar pa u prekur prej tij të paktën një herë as Partizani dhe Laçi.
Kjo dukuri pritet të vijojë edhe këtë javë, teksa Kastrioti do ta presë Laçin në shtëpinë e improvizuar, në Stadiumin e Kamzës, por edhe Kukësi duelin e rëndësishëm me Vllazninë, e ka zhvendosur në Stadiumin e Egnatias, edhe pse në Rrogozhinë skuadra vendase luan të shtunën ndaj Teutës. Madje edhe derbi i kryeqytetit, Dinamo-Partizani, u luajt në Elbasan.
Me pak fjalë, me Stadiumin e Kukësit ende të papërfunduar, me atë të Krujës dhe atë Durrësit që i është nënshtruar rinovimit, madje edhe me fushën e “Elbasan Arenës” që do të mbjellë barin e ri, pas një tejshfrytëzimi për shkak të mungesës së fushave, Kategoria Superiore pritet të bëhet një kampionat edhe më “asnjëanës” se deri tani.
Ndeshjet “asnjëanëse”
Java 1
Kastrioti – Dinamo (Kamzë)
Java 2
Dinamo – Laçi (Elbasan)
Kukësi – Kastrioti (Elbasan)
Java 3
Kastrioti – Tirana (Kamzë)
Partizani – Vllaznia (Elbasan)
Teuta – Dinamo (Rrogozhinë)
Laçi – Kukësi (Kamzë)
Java 4
Dinamo – Partizani (Elbasan)
Kukësi – Teuta (Elbasan)
Java 5
Kastrioti – Skënderbeu (Kamza)
Teuta – Tirana (Elbasan)
Java 6
Kastrioti – Laçi (Kamzë)
Kukësi – Vllaznia (Rrogozhinë)