AlbanianSport.com 20.01.2014 12:25
ASNN – Pas një 2013-te të suksesshme në Kupat e Evropës, Kategoria Superiore ka patur një rënie në vitin 2014. Paraqitja e ekipeve edhe në veprimtaritë kombëtare ka ndikuar në renditjen botërore të kampionateve, të botuar së fundmi nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS).
Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit renditet i 67-ti, duke humbur 8 pozicione nga një vit më parë. Kategoria Superiore mbetet më e fortë se homologia maqedonase, ajo boshnjake dhe ajo malazeze, por mbetet prapa disa kampionateve të tjera të Ballkanit.
Në këtë renditje janë përfshirë 170 kampionate në botë, 45 më tepër se vitin në 2013. Në krye, për të pestin vit radhazi është “La Liga” spanjolle, ndërsa në vendin e dytë është ngjitur përsëri Seria A e Italisë, duke zbritur në të tretin Premier Ligën e Anglisë. Në 10-shen e parë bëjnë pjesë edhe katër liga të Amerikës së Jugut ku ajo argjentinase është më rezultativja, duke u renditur e katërta.