AlbanianSport.com 17.02.2016 12:55
ASNN – Është zhvilluar dje seminari me vëzhguesit e Kategorisë së Tretë. Në vijim të planit të përpiluar nga sektori i vëzhguesve, dje, paradite në orën 10:00, në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit, u zhvillua analiza dhe seminari me vëzhguesit e kësaj kategorie të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pas përfundimit të pjesës së parë të edicionit.
Siç njofton faqja zyrtare e FSHF-sël Sektori i Vëzhguesve në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka zhvilluar seminarë tematikë, të cilët kanë patur për qëllim, të evidentojnë problemet dhe të sjellin përpara vëzhguesve, momente të cilat kërkojnë vëmendje nga ana e tyre, në pjesën tjetër të edicionit. Pjesëmarrës ishin vëzhgues të kategorisë së tretë.
Analiza u krye nga Petrit Brahja. Në vijim të këtij seminari, Albano Janku mbajti edhe referatin në lidhje me interpretimet e reja të pozicionit jashtë loje. “Me këtë seminar me vëzhguesit e kategorisë së tretë, ne plotësojmë të gjithë analizën me vëzhguesit tanë. Sigurisht në qendër të vëmendjes ka qenë problematika gjatë kësaj periudhe”, – deklaroi Kryetari i Komisionit të Vëzhguesve, Petrit Brahja.
“Ai ka patur për qëllim që të njohë vëzhguesit me problematikën aktuale të edicionit dhe ti testojë ata, – vijoi zyrtari i futbollit shqiptar. – Ata u njohën me interpretimet e reja në rregullore.” Ky seminar është në vazhdën e rutinës së organizmit që qeveris futbollin shqiptar, që para nisjes së çdo pjese të sezonit, bën bilancin dhe parashtron kërkesat për zyrtarët e saj.