AlbanianSport.com 25/12/2018 19:00
ASNN – Kategoria Superiore e këtij edicioni ka rivalitet të fortë për titullin, megjithëse niveli sportiv në tërësi në Shqipëri lë për të dëshiruar. Sidoqoftë, kthimi i Partizanit dhe Flamurtarit si pretendentë për trofe është për t’u vlerësuar, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Tiranën, e cila vijon të shfaqë probleme dhe ndodhet në zonën e rrezikshme të mbijetesës, duke u futur tifozëve ankthin e dy viteve të shkuara kur ekipi ra nga kategoria.
Sidoqoftë, ciklin e rënies e kanë provuar të gjitha klubet e mëdha të Shqipërisë. Në 20 vjetët e fundit të gjitha klubet e elitës e kanë provuar në një formë apo tjetër “shijen e hidhur” të kategorisë inferiore. E ndërsa Tirana tallej shumë kohë me Partizanin, i erdhi radha vetë ta provonte këtë “ndjesi”. Vllaznia, ky emër i madh i futbollit kombëtar, e pësoi këtë edicion dhe tani luan me skuadra “të panjohura”. Por ka një tregues mjaft interesant në këtë moment.
Sepse janë gati 10 klube të elitës që militojnë në Kategorinë e Parë dhe nëse do të kishte qenë për emrat, në këtë kategori bëhet fiks një “Superiore”. Kështu, në grupin e A, pra atë të Veriut, janë të paktën tre emra të spikatur të futbollit shqiptar, si Vllaznia, Dinamo dhe Besëlidhja. Madje shkodranët dhe dinamovitët kanë peshë edhe në përqindjen e trofeve të fituara, pasi janë ndër skuadrat që kanë fituar më shumë trofe në futbollin shqiptar.
Në grupin B, atë të Jugut, militojnë emra të tillë si Elbasani,Tomori, Apolonia, Bylis, Lushnja dhe Besa. Nëse këtij grupi i ngjisim edhe Pogradecin modest, atëherë plotësohet një “Superiore” në të Parën. Me përjashtim të Vllaznisë në grupin A, që po shfaqet si pretendente e padiskutuar për t’u rikthyer në elitë, dhe deri-diku Bylisit në grupin B, klubet e tjera të traditës ndodhen jo në lartësinë e kërkuar. Si për çdo klub tjetër të futbollit shqiptar, edhe këta emra të mëdhenj kanë “thembrën e Akilit” tek financat e munguara dhe punën e dobët me skuadrat zinxhirë.