AlbanianSport.com 07/07/2020 21:40
ASNN – Është kohë krize dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as vendet e pasura e as veprimtaritë madhore sportive. Organizatorët e Kampionatit Botëror të Futbollit në 2022-shin, po shkurtojnë vendet e punës. Komiteti organizator i këtij evenimenti të madh sportiv, nuk e cituar konkretisht se kjo gjë po bëhet për shkak të pasojave financiare për shkak të epidemisë së virusit korona, por Sekretari i Përgjithshëm, Hasan Al-Thauadi, ka treguar shqetësimin e madh që po vjen nga recesioni global.
Sponsorët e FIFA-s kanë shkurtuar vendet e punës, për shkak të bllokimit të udhëtimeve dhe ndalimit të veprimtarive sportive për shkak të shpërthimit në shkallë globale të epidemisë së virusit “Covid-19”. Katari ka hapur 3 nga 8 stadiumet që do të përdoren në turneun që do të zhvillohet nga nëntori deri në dhjetor 2022, gjë që do të thotë se duhen më shumë punëtorë të specializuar për të përfunduar infrastrukturën e duhur.
Me vetëm 85% të infrastrukturës së përfunduar, organizatorët e Botërorit 2022 pranojnë se raportet e forcave punëtore duhet të ndryshojnë, teksa duhen specialistë të tjerë për të përfunduar të gjitha stadiumet dhe infrastrukturat e tjera të turneut në Katar. Numri i saktë i personave që kanë humbur punën nuk është deklaruar. Megjithatë, organizatorët sigurojnë se të gjitha pagat që duhej të merrnin punëtorët e larguar nga puna, janë shlyer.