AlbanianSport.com 05/10/2019 20:20
ASNN – Nuk ka fitues në Stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë. Kastrioti pretendent për të kaluar në Kategorinë Superiore, nuk arrin të marrë më shumë se një pikë përballë Tërbunit. Nuk ka mjaftuar dëshira dhe loja e luajtur përgjatë 90 minutave në gjysmëfushën e skuadrës pukjane, që futbollistët krutanë të arrinin të shënonin. Kjo falë edhe pritjeve të portierit të Tërbunit, amerikanit Roxhers, që ka qenë në një formë mjaft të mirë duke shpëtuar portën e tij nga goli në mjaft raste.
Që në fillim të pjesës së parë janë vendasit që sulmojnë, por si Neziri ashtu edhe Mehmeti janë të pasaktë. Duhej të vinte minuta e 32-të e takimit që Tërbuni të bënte sulmin e parë e më pas në 41-ën, është Zhivani që godet shtyllën horizontale. 3 minuta më pas, kundërpërgjigjet Kastrioti. Ajazi me kokë brenda zonës por topi kalon fare pranë shtyllës pingule të Tërbunit. Por edhe miqtë tregojnë se janë në fushë me anë të një gjuajtje të fortë të Mezinit, që e detyron portierin Selaci të presë në dy kohë.
Edhe pjesa e dytë është e njëjtë me të parën. Ndeshja luhet vetëm në gjysmëfushën e Tërbunit, me Kastriotin që sulmon pareshtur por pa rezultat. Provojnë të gjithë, Mehmeti në të 52-tën minutë, Rami në të 56-tën dhe kapiteni Marku, dy minuta më pas, por Roxhers ka vendosur ta mbajë të paprekur portën e tij. Në minutën e 79-të, Kastrioti arrin të realizojë, por, përkundër protestave të vendasve, gjyqtari kryesor i takimit, Sokol Belbja e anulon golin si të parregullt.
Përfundimisht 0-0 dhe nga një pikë për secilën skuadër me Kastriotin e trajnerit Ndreu që bën një tjetër hap fals, pasi në katër javë ka vetëm 8 pikë ndërsa Tërbuni ngjitet në kuotën e 5 pikëve. Në përfundim të takimit pati disa çaste tensioni, teksa trajneri i kastriotit, Ndreu dhe disa lojtarë të tij, protestuan tek gjyqtari kryesor Belbja për vendimet e tij.