AlbanianSport.com 17/02/2019 17:45
ASNN – Kastrioti bën surprizën e madhe, zhyt Kamzën në fund dhe shkarkon trajnerin Gjoka. Trajneri Ernest Gjoka rezulton i pafat edhe këtë edicion të Kategorisë Superiore. një vit më parë ai mori Vllazninë në kushte të vështira dhe siç dihet skuadra nuk iu përgjigj e ra nga kategoria. Këtë vit Gjoka nuk priti më të vinte fundi, pasi disfata e sotme me Kastriotin ishte e papranueshme për trajnerin, që u dorëhoq, duke e lënë ekipin në krizë, ashtu siç ka qenë Kamza gjatë javëve të fundit.
Ndeshja ishte e barabartë në tërësinë e elementëve të saj, por diferencën me gol në fund të ndeshjes e bëri skuadra krutane. Kamza kishte shansin ta fitonte këtë duel direkt të fundtabelës, por ndodhi që e humbi dhe skuadra e periferisë së kryeqytetit u zhyt në fund të renditjes, me vetëm 16 pikë, ndërsa Kastrioti me fitoren e sotme ngjitet i parafundit me 19 pikë. E habitshme por e vërtetë, nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli, Kastrioti ka marrë 3 fitore në 4 ndeshjet e fundit.
Diçka e pazakontë për një skuadër që kaq pikë nuk i kishte marrë në dy fazat e para të kampionatit. Fatet e ndeshjes u vendosën në sekondën e fundit, pikërisht në minutën e 3-të shtesë të saj, kur Ersil Ymeraj shënoi golin e fitores brenda në Kamzë, duke i dhënë Kastriotit 3 pikë me mjaft vlerë në rrugëtimin e mbijetesës. Madje krutanët tani janë vetëm 3 pikë pas Luftëtarit dhe 6 pikë pas Tiranës. Gara e mbijetesës është më e hapur se kurrë dhe për krutanët kjo periudhë është e artë.
Sepse janë ndër ekipet me ecurinë më të mrekullueshme në garë, një ecuri e denjë për kryesuesit e jo për një ekip që lufton t’i ikë fundit. Sa i takon Kamzës, me humbjen e sotme mbetet në vend të fundit me 16 pikë, skuadra më e rrezikuar për të rënë nga kategoria, ndërsa ka mbetur së fundmi dhe pa trajner, pasi Ernest Gjoka dha dorëheqjen dhe klubit i duhet të gjejë tani një trajner ekspert për mbijetesën. Rivali i Gjokës, Bledar Devolli, jo vetëm mori 3 pikë të vyera, por i dha një “leksion” të fortë Kamzës që e kishte shkarkuar pas 5 javëve të para në kampionat.
Kategoria Superiore
Java e 22-të
Të premten, 15 shkurt 2019:
Teuta – Kukësi 2-1
Të dielën, 17 shkurt 2019:
Kamza – Kastrioti 0-1
Flamurtari – Skënderbeu 2-0
Tirana – Luftëtari 1-1
Laçi – Partizani 1-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 22 14 4 4 23-10 46
- Teuta 22 10 9 3 28-16 39
- Kukësi 22 11 5 6 21-13 38
- Laçi 22 9 7 6 18-17 34
- Skënderbeu 22 10 3 9 23-19 33
- Flamurtari 22 9 6 7 19-15 33
- Tirana 22 6 7 9 26-24 25
- Luftëtari 22 6 4 12 19-27 22
- Kastrioti 22 6 1 15 19-39 19
- Kamza 22 4 4 14 10-26 16