Nderim Goci (Krujë) 22.11.2014 10:00
Ndeshja ndaj velipojakëve po pritet me shumë interes në radhët e sportdashësve krutanë. Dje paradite, në mjediset e kompleksit sportiv “Olimpik” të Yrshekut, Kastrioti zhvilloi seancën e fundit stërvitore, ku trajneri Alert Alcani, përveç anës taktike ka dhënë dhe udhëzimet e fundit për ndeshjen e ditës së sotme.
Në ndeshjen e sotme, krutanët kanë të ngjarë të luajë me të njëjtin formacion që luajti para katër ditësh për kupë ndaj shkodranëve. Sipas statistikave, ballafaqimi sotëm me velipojakët vjen pas një mungese mbi 5-vjecare.
Ndeshja e sotme, vjen me kushte krejt të tjera për skuadrën krutane, pasi në këtë edicion, ndryshe nga i pesë viteve më parë, ku krutanët pretendonin Kategorinë Superiore, ky i sotmi luftohet për të siguruar një vend komod në renditje.
Zhvillimi i ndeshjes në një fushë asnjanëse konsiderohet epërsi, krutanët e kanë të qartë se ndaj skuadrave të ashtuquajtura të vogla, duhet një kujdes maksimal. Ndërkohë, skuadra e Kastriotit është nisur që mbrëmë drejt qytetit të Pukës.
Ja formacioni i mundshëm i Kastriotit: Selaci, Caca, Kule, Zela, Ndoni, Rroshi, Pengili, Guri, Bytyçi, Tali, Bakiu. Trajner: A. Alcani