ASNN – Presidenti i skuadrës, Artan Djala, ka prezantuar dje para skuadrës trajnerin e ri, Alert Alcanin. Por stafit të Alcanit do t’i shtohet dhe ndihmësi, Dashnor Hasani, i cili deri ditën e djeshme ka qenë në rolin e trajnerit të portierëve. “Jam këtu për të prezantuar trajnerin e ri të skuadrës dhe nga ju pres përkushtim në përgatitje dhe rezultate pozitive”, – do të shprehej mes të tjerash, presidenti i krutanëve, Artan Djala.
“Kam besim se do të ecni përpara, – ka vijuar ai. – Nga ana jonë nuk do t’ju mungojë mbështetja.” Më pas skuadra u rreshtua në fushën e lojës dhe për me shumë se 60 minuta, në stadiumin e qytetit të Krujës ka zhvilluar një ndeshje brenda familjes. Numri një i pankinës krutane, Alert Alcani pohoi se skuadra në përgjithësi është mirë, por vend për riparime ka.
“Sot zhvillova seancën e parë stërvitore me skuadrën e re, – ka deklaruar ai, duke folur për AlbanianSport.com. – Ishte një atmosferë pozitive dhe kam besim se do të ecim përpara. Ndoqa nga afër dhe ndeshjen e kontrollit brenda grupit. Në përgjithësi, skuadra ishte mirë por ka vend për riparime. Por me kalimin e kohës, këto do të minimizohen.”
“Në skuadër ka elementë cilësorë, që me eksperiencën e tyre, mund ta bëjnë skuadrën të ecë përpara”, – ka shtuar trajneri i ri krutanëve, Alert Alcani, i cili e ka përvojën e parë të tij si drejtues i parë i një skuadre të kategorisë së parë. Të hënën skuadra do t’u rikthehet seancave stërvitore, ku, si zakonisht do ta zhvillojë në qendrën stërvitore të klubit “Olimpik” në Yrshek.