Nderim Goci (Krujë) 25.10.2014 09:05
ASNN – Ndeshja që do të luhet sot pasdite në Stadiumin “Kastrioti” të qytetit të Krujës midis vendasve të Kastriotit dhe fqinjëve të Ilirisë së Fushë-Krujës, përbën një nga çiftet më interesante të javës së 4-t të grupit A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Duke iu referuar statistikave, ballafaqimet midis këtyre skuadrave mungojnë për rreth 20 vite, më saktë, që në majin e vitit 1994, ku Iliria fitoi ndeshjen me rezultatin 2-1 dhe fitoi të drejtën për të hyrë për të parën herë, dhe të fundit deri më tani, në Kategorinë e Parë (nivelin më të lartë të atëhershëm të futbollit shqiptar, sot Kategoria Superiore.
Ndeshja e ditës së sotme pritet me shumë interes, jo vetëm në radhët e sportdashësve krutanë, por dhe atyre të Fushë-Krujës, të cilët sipas burimeve pranë klubit krutan, priten që në shkallët e stadiumit të jenë në një numër i konsiderueshëm. Ndeshja e fituar të mërkurën në Kupën e Shqipërisë, ndaj Adës së Velipojës, ka sjellë tjetër optimizëm dhe pritet që skuadra të bëjë të njëjtën paraqitje edhe në ndeshjen e sotme ndaj fushë-krujasve. “Jemi përgatitur maksimalisht për ta kaluar me sukses ndeshjen ndaj Ilirisë, – ka deklaruar ndihmës-trajneri i Kastriotit, Shaban Dallaku. – Gjithmonë ndeshjet derbi përcillen me interes nga të dy skuadrat.”
“Shpresojmçë që edhe në ndeshjen e sotme të jetë e njëjta atmosferë, – ka vijuar ai. – Jam i bindur që skuadra jonë do të jetë fituesja e takimit. Fitorja e arritur në Kupë na mobilizon më shumë, për të kaluar me sukses ndeshjen e sotme”. Në ndeshjen e sotme skuadra krutane i ka të gjithë futbollistët në dispozicion, dhe një fakt i tillë, sipas ndihmësit të trajnerit Shkëlzen Rustami, forcon psikozën që grupi do ta thotë mirë fjalën e tij ndaj Ilirisë fqinje. Sipas të gjitha gjasave, skuadra e Rustamit do të ketë të njëjtën formacion me atë që zhvilloi një javë më parë në Kamëz.
Ja formacioni i mundshëm i Kastriotit ndaj Ilirisë së Fushë-Krujës: Cali, Caca, Hoxha, Stafa, Ndoni, Bytyçi, Kehinda, Pengili, Shaba, Guri, Bakiu. Trajner: Sh. Rustami