AlbanianSport.com 06/01/2018 15:35
ASNN – Përtej një fillimi premtues, që e pati zanafillën nga aitriumf minimal, por mjaft i vyer në Gjirokastër ndaj Luftëtarit vendas, Kategoria Superiore po bëhet një mision gjithnjë e më pamundur për Kastriotin. Madje, edhe pse është vetëm java e 12-të e këtij sezoni, nga 36 gjithsej, në horizontin e krutanëve kanë nisur të përvijohen, ndonëse ende të zbehta, konturet e Kategorisë së Parë, aty ku Kastrioti ka ngjarë të kthehet prapa në fund të këtij sezoni.
Vetëm 4 pikë nga 33 të mundshmet, të marra në këto 11 javë të para të kampionatit, po e bëjnë detyrën e trajnerit Stavri Nica gjithnjë e më të vështirë. Dhe, si për dreq, kur gjërat shkojnë keq, nuk të ndihmon as kalendari. Kështu, faza e dytë e krutanëve ka nisur me atë humbje 0-2 në shtëpi përballë Luftëtarit. Pas saj, dy sfida me ekipet kryesuese të renditjes së Kategorisë Superiore.
E nëse në Korçë Skënderbeu u kursye, duke u mjaftuar me një gol të vetëm, perspektiva nuk është aspak premtuese me vizitën që Partizani do t’i bëjë të mërkurën pasdreke Kastriotit. Të kuqtë kryeqytetas e kanë fituar ndeshjen e fazës së parë me një gol të vetëm, por vijnë në këtë sfidë me misionin e qartë për të mos mbetur prapa Skënderbeut kryesues.
Të gjitha këto e bëjnë edhe më të vështirë detyrën e Kastriotit, që për më tepër e ka të qartë se, nëse do të ndryshojë diçka, koha është tani. Përndryshe, më vonë do të jetë shumë vonë…