Nderim Goci (Krujë) 07.09.2015 07:55
ASNN – Ndeshja miqësore e zhvilluar ndaj Kukësit ditën e shtunë, ishte e fundit për skuadrën e Kastritotit, të drejtuar nga trajneri Elvis Plori. Të shtunën e ardhshme, në kuadër të javës së parë, skuadra krutane do të presë në fushën e saj rivalen historike, Erzenin e Shijakut. Pavarësisht humbjes me nënkampionët e vendit, loja e skuadrës së Plorit ishte në lartësinë e duhur. Skuadra e drejtuar nga homologu brazilian, Marselo Troisi, fitoi ndaj krutanëve, jo vetëm në sajë të lojtarëve cilësorë që ka në skuadër, por dhe sepse përgatitjet te nënkampionët kanë nisur shumë më herët se tek skuadra e Plorit.
Një nga futbollistët që u dallua në ndeshjen e djeshme është dhe mbrojtësi shkodran, Bruno Kepi, i cili për AlbanianSport.com, duke bërë rezymenë e këtij takimi, mes të tjerash do të shprehej se: “Pavarsisht rezultatit të ndeshjes, zhvilluam një ndeshje të kënaqshme, duke qenë të barabartë me kundërshtarin. Një gjë e tillë e bazoj edhe tek numri i rasteve të humbura. Nëse do të kishim shënuar qoftë edhe një gol, pa dyshim loja do të kishte marrë rrjedhë tjetër. Ajo që duhet pranuar është që skuadra po harmonizohet dhe po krijon profilin e një ekipi që pretendon të jetë pretendent për në Kategorinë Superiore.”
Ndërkohë skuadra po përgaditet për ndeshjen premierë të sezonit të ri, ku do të presë në fushën e saj Erzenin e Shijakut. Mbrojtësi shkodran ndihet i sigurt se kampionati nisë me fitoren e skuadrës së tij. “Jemi të përqendruar totalisht te ndeshja e parë ndaj shijakasve, – ka thënë ai. – Kam besim se ndeshja do të flasë në favorin tonë. Kualitetet që kemi në skuadër shton dukshëm optimizmin për ta arritur një gjë të tillë, për të kënaqur dhe sportdashësit krutanë.” Ndërkohë skuadra krutane do t’u rikthehet sot paradite seancave stërvitore në Kompleksin Sportiv “Internacional” në Pezë-Helmës në periferi të kryeqytetit.