Nderim Goci (Krujë) 09.09.2015 17:35
ASNN – Skuadra e Kastriotit është duke vijuar përgatitjet për ndeshjen e së shtunës, ku përballë do të ketë skuadrën e Erzenit të Shijakut, një rivale e vjetër e krutanëve. Atmosfera është optimiste në radhët e skuadrës krutane, të cilët premtojnë që në ndeshjen e parë, do ta nisin për fitore. Një psikozë të tillë e përforcon dhe një nga futbollistët e formacionit bazë të skuadrës, mesfushori Dejan Dosti.
“Atmosfera është pozitive dhe kam shumë besim që ndeshjen e parë, ndaj shijakasve, ta kalojmë me sukses, – ka deklaruar ai për AlbanianSport.com. – Një gjë të tillë e bazoj jo vetëm tek atmosfera në skuadër, por edhe te lojtarët cilësorë që janë afruar së fundmi.” Ndërkohë, sot pasdite, skuadra është postuar në stadiumin “Kastrioti” të qytetit të Krujës.
Siç duket, drejtuesit e skuadrën e bëjnë një lëvizje të tillë, për t’u përshtatur sa më mirë me fushën e lojës. Pas përfshirjes në skuadër të sulmuesit të njohur, Vilfor Hysa, drejtuesit e presidencës kanë në plan të bëjnë një tjetër goditje. Sipas burimeve pranë presidencës së klubit krutan, bëhet e ditur që futbollisti që mendohet të jetë pjesë e skuadrës së tyre, ka të ngjarë të jetë mbrojtës.
Ndërkohë , sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se shume shpejt do të bëhet dhe prezantimi i uniformave të reja.