Nderim Goci (Krujë) 18.10.2014 07:05
ASNN – Dje pasdite në stadiumin e qytetit skuadra krutane ka zhvilluar seancën e fundit përgatitore. Seanca e djeshme ka qenë e karakterit taktik dhe futbollistët kanë marrë udhëzimet e fundit për ndeshjen ndaj Kamzës. “Do të jetë një ndeshje e fortë. Kam besim që do të kthehemi me rezultatin pozitiv. Kam besim që do të arrijmë një objektiv të tillë, pasi skuadra ka bërë progres të dukshëm në krahasim me javët e kaluara”, – do të shprehej mes të tjerash zv/trajneri i krutanëve, Shaban Dallaku, në prag të ndeshjes së sotme.
Ndërkohë që formacioni që do të zbresë sot në fushën e lojës ka të ngjarë të jetë ai i dy javëve të para, ndaj Besës së zhvilluar në Krujë. Por i vetmi ndryshim është, se në këtë ndeshje, skuadra e trajnerit Shkëlzen Rustamit ka shumë mundësi të rreshtohet me skemën taktike 4-4-1-1, ku vija sulmuese do t’u besohet Gurit dhe Bakiut, ndërsa porta i është besuar Calit. Në vijën mbrojtëse do të jenë të përhershmit: Caca, Hoxha, Ndoni dhe Stafa, ndërsa në mesfushë do të rreshtohen Kehinda, Pengili, Shaba dhe Bytyçi. Afërsia gjeografike që kanë skuadrat qytetet me njëra-tjetrën, japin mundësinë e ardhjes së një numri të konsiderueshëm sportdashësish nga qytetit i Krujës.
Por deri dje pasdite nuk ka patur asnjë njoftim nga Bashkia e qytetit për një organizim të mundshëm drejt Kamzës. Menjëherë pas zhvillimit të seancës së fundit përgatitore, skuadra është grumbulluar në një nga hotelet e qytetit të Krujës
Ja formacioni i mundshëm:
Kastrioti : Cali, Caca, Hoxha, Ndoni, Stafa,Bytyci, Kehinda, Pengili, Shaba, Baliu, Guri. Trajner: Sh. Rustami