Gjergj Vyshka 11.12.2014 17:05
Këshilli i Arbitrazhit Sportiv, si gjykata më e lartë sportive, më 24 nëntor, ka pranuar vetëm gjysmën e padisë së tre gjyqtarëve ndërkombëtar të volejbollit shqiptar, Altin Telo, Endri Zguri dhe Erjon Mujo.
Tre gjyqtarët janë ankuar për pavlefshmërinë e vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Volejbollit, më 10 shkurt, e cila i ka pezulluar këta gjyqtarë, sepse nuk deshën të hynin në shortin e Kupës së Shqipërisë, si dhe për dëmin ekonomik që është në shumë 425 euro.
Dhe KAS, pasi ka vërejtur se vendimi i marrë më 10 shkurt ka qenë në kapërcim të kompetencave të Komitetit Ekzekutiv për përjashtimin gjashtë muaj të tre gjyqtarëve e ka quajtur të pavlefshëm, ndërsa për dëmin e shkaktuar, siç pretendojnë gjyqtarët, nuk ka asnjë asnjë bazë në prova.
Në këto kushte, KAS ka quajtur të vlefshëm gjysmën e pretendimeve të gjyqtarëve të volejbollit, që sot janë në aktivitet.