AlbanianSport.com 08.01.2015 20:35
ASNN – Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (KAS) ka dalë sot me një njoftim rreth incidentit në sfidën Serbi-Shqipëri. Kjo gjykatë ka njoftuar se ka pranuar ankesën e palës shqiptare dhe asaj serbe, pas vendimit të Komisionit Disiplinor të UEFA-s, por edhe Komisionit të Apelit, që i jep Serbisë fitoren 3-0 në tavolinë.
“Në ankesën e bërë në KAS, Federata e Futbollit e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë kërkojnë anulimin e vendimeve të UEFA-s ose t’u ulen dënimet e e tjera mbi këtë çështje. Të dy procedurat janë hapur dhe do të kryhen në përputhje me kodin për arbitrazh sportiv”, thuhet në njoftimin e KAS-it.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ishte zgjidhja e fundit e Federatës Shqiptare të Futbollit për të fituar atë që, sipas saj, i takon për ndeshjen e ndërprerë të 14 tetorit 2014 kundër Serbisë në Beograd.
Si Komisioni i Disiplinës, ashtu edhe ai i Apelit, ia kanë dhënë ndeshjen në tavolinë Serbisë, duke i ndëshkuar të dyja vendet me nga 100,000 euro gjobë për trazirat në sfidën e Beogradit. Gjyqësori i UEFA-s i ka hequr gjithashtu Serbisë 3 pikë, si dhe e ka dënuar t’i luajë 2 ndeshje në fushën e vet pa tifozë.