AlbanianSport.com 04.06.2015 17:30
ASNN – Mjediset sportive në Tiranë lënë mjaft për të dëshiruar, pasi kryeqyteti shqiptar ka 40 herë më pak sipërfaqe sportive se mesatarja e Ballkanit. Në një shoqëri të zhvilluar, jeta e njeriut nuk mund të mendohet pa sportin. Aktiviteti sportiv cilësohet mënyrë jetese, shëndet dhe krenari kombëtare.
Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, është tepër e vështirë që banorët ta arrijnë këtë, pasi pengohen nga mungesa e elementit më të rëndësishëm, mjediseve sportive. Madje Albert Karriqi, kryetar i Këshillit të Profesorëve në Universitetin e Sporteve të Tiranës (UST), bën një krahasim.
Për Karriqin po bëhet shumë mirë që po investohet në ish-kompleksin “Dinamo”, por kaq nuk mjafton. Nuk është punuar për sportin dhe kjo do të thotë se nuk është punuar për mënyrën më të mirë të jetesës së njeriut. Nuk mjafton të investohet vetëm në stadiume dhe në një qendër në Tiranë.
Profesor Karriqi e sheh të pamundur që të ndryshohet gjë në pjesën tradicionale të Tiranës, dhe e vetmja shpresë që qytetarët të kenë mundësi të kenë një mënyrë jetese sportive është në periferi, me kusht që lagjet e reja të mos mbingarkohen si të vjetrat dhe në to të mos bëhen gabimet e vjetra.