Gjergj Vyshka 16.12.2014 17:05
Shqipëria ka ardhur me dy medalje nga Kampionati Ballkanik i Karatesë, i cili u zhvillua fundjavën e kaluar në Sofje të Bullgarisë. Kampionati Ballkanik ka qenë për paratërinj, të rinj dhe të rritur e në të kanë marrë pjesë 11 shtete, të cilat kanë zbritur në tapet 732 sportistë.
Bëhet fjalë për Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë, Serbinë, Turqinë, Qipron, Malin e Zi, Rumaninë, Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnje-Hercegovinën. Kështu Shqipëria ka marrë pjesë më 17 sportistë prej të cilëve Orges Arifi, në peshën deri në 60 kg, për moshën deri në 21 vjeç ka marrë medaljen e argjendtë.
Kurse Henrik Dedej, në kategorinë e paratërinjve në peshën deri në 70 kg, ka marrë medaljen e bronztë. Sipas drejtorit teknik të Federatës Shqiptare të Karatesë, Ramiz Ismailgecaj, kjo ishte veprimtaria e fundit e karatesë shqiptare për vitin 2014, një vit që, sipas tij, ka pasur plot suksese dhe një mori medaljesh ndërkombëtarësh.