Gjergj Vyshka 01.03.2016 19:00
Pas përfundimit pa medalje në këtë Kampionat Ballkanik të Karatesë për Të Rritur, që u zhvillua në Stamboll të Turqisë, të paktën edhe sipas mendimit të trajnerit Ismailgeci dhe drejtorit teknik Muça, duhet një strategji ndryshe zhvillimi tek të rriturit dhe duhet të ndërhyhet shpejt tek të rinjtë dhe paratërinjtë, me një stërvitje afatgjatë dhe të gërshetuar me anën fizike.
“Megjithatë rezultati duhet konsideruar deri diku i mirë”, – kanë deklaruar nga Federata Shqiptare e Karatesë. Gjatë ditëve të zhvillimit të Kampionatit Ballkanik, Presidenti i Federatës Shqiptare të Karatesë, Petrit Baba, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, atje ku nga Shqipëria është kërkuar zgjidhja e statusit të Kosovës, e cila merr pjesë në veprimtaritë ballkanike, por nuk ka të drejtën e votës në mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv.
E kjo çështje do të zgjidhet në të ardhmen, ndërsa Serbia ka njoftuar se Ballkanikun e fëmijëve do ta zhvillojë në Beograd për kushte më të mira logjistike. Përfundimisht, karateistët shqiptarë kanë ardhur pa medalje nga Ballkaniada.