Gjergj Vyshka 10.06.2016 19:15
Karateja shqiptare dje ka qenë në zi, sepse është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme karateisti i Besëlidhjes dhe ekipit kombëtar, Elvis Jaku. Kampioni i Shqipërisë ishte student i Universitetit të Sporteve në Shkodër dhe sipas të dhënave ka shkuar ekskursion me shokët në Liqenin e Shirokës. Është futur në ujë, por gjithçka ka qenë fatkeqe, sepse nuk ka dalë më që andej.
Megjithë ndihmën e shokëve dhe dërgimit në spital gjithçka ka qenë e pamundur për kthimin në jetë të Elvis Jakut. Dhimbja ka qenë e madhe, ndërsa Federata Shqiptare e Karatesë i ka shprehur me dhimbje të madhe familjarëve të Elvisit ngushëllimet më të sinqerta. “Elvisi ishte një sportist i talentuar, një kampion i vërtetë, i dashur me shokët dhe me karakter të jashtëzakonshëm”, – shkruan ajo në një postim në “Facebook”.
“Me ndarjen e tij nga jeta familjarët humbën birin e tyre, shokët mikun e dashur, sporti humbi një kampion të vërtetë. I paharruar qoftë kujtimi i Elvisit”, thuhet në komunikatën e Federatës Shqiptare të Karatesë, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit e 24-vjeçarit do të bëhet sot në Lezhë.