AlbanianSport.com 03/03/2024 13:45
ASNN – Turneu Ndërkombëtar i Trevizos në karate, Mikela Skandaj shkëlqen me medalje ari. Karateistja e talentuar Mikela Skandaj vijon të regjistrojë rezultate të shkëlqyera në arenën ndërkombëtare, teksa e ka filluar më këmbë të mbarë sezonin 2024.
14-vjeçarja lezhjane i ka shtuar koleksionit të saj një tjetër medalje ari, duke triumfuar në turneun ndërkombëtar “Heart Cup”, të zhvilluar në Trevizo të Italisë. Një turne me konkurrencë të lartë, që pa të garonin 931 sportiste nga 6 shtete të ndryshme të Europës si Italia, Austria, Belgjika, Gjermania, R. Çeke dhe Zvicra.
Ndonëse nuk vinte në formën e saj më të mirë fizike, pasi gjatë ditëve të aktivitetit kaloi një gjendje gripale, Mikela Skandaj, vendosi të konkurronte, duke mos e dëgjuar madje as këshillën e trajnerit që i kishte sugjeruar që të mos rrezikonte. Egoja dhe dëshira e madhe për triumfin u shpërblyen me vendin e parë në këtë event ndërkombëtar.
Kujtojmë që prej kohësh Mikela Skandaj ka shprehur dëshirën e saj për të përfaqësuar Shqipërinë dhe ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare, ndërsa me suksesin e fundit në Trevizo, ajo sgiruoi medaljen numër 55 në karrierën e saj, ndonëse është vetëm 14 vjeç.