Gjergj Vyshka 25.02.2016 18:45
Xhino Toli, Spajdi Selamaj dhe Halil Marqeshi synojnë medalje, risia pjesëmarrja për herë të parë në kombëtaren e të rriturve e Rajli Muçollarit dhe Kelion Panxhës. Kombëtarja shqiptare e Karatesë tashmë është gati për të marrë pjesë në Kampionatin e 18-të Ballkanik të të rriturve, i cili këtë fundjavë do të zhvillohet në Stamboll.
Në krye të delegacionit do të jetë presidenti i Federatës Shqiptare të Karatesë, Petrit Baba, i cili do të marrë pjesë edhe në Kongresin Ballkanik. Drejtor Teknik i kombëtares do të jetë Florian Muça, kurse trajner i kombëtares, Ramiz Ismailgeci.
E Shqipëria në këtë Ballkaniadë do të përfaqësohet me Halil Marqeshi (pesha 67 kg), Xhino Toli (pesha 67 kg), Rajli Muçollari (pesha 75 kg), Spajdi Selamaj (pesha 75 kg) dhe Kelion Panxha (pesha +84 kg).
Sipas informacionit që ka dhënë për “Sport Ekspres”, sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Karatesë, Erikela Ismailgeci, ata që pretendojnë medalje janë Xhino Toli, Spajdi Selamaj dhe Halil Marqeshi.
E risia e kombëtares është pjesëmarrja për herë të parë në këtë ballkaniadë e Kelion Panxhës dhe Rajli Muçollarit. Përfundimisht, Shqipëria e Karatesë është gati për Ballkaniadë.