Nderim Goci (Krujë) 30.11.2014 19:15
ASNN – Ylber Zani, trajneri i ri i Kamzës, e ka nisur me këmbë të mbarë punën e tij në krye të pankinës së periferikëve të kryeqytetit. Kamza ka fituar, ndërsa ka gjetur qetësinë e humbur, sidomos pas disfatës së javës së kaluar në Lezhë, 0-6, duke mundur Burrelin me rezultatin 3-1.
“Nuk kishte më bukur se kjo fitore për ta nisur detyrën e re të trajnerit tek kamzalinjtë, – ka deklaruar Zani. – Ka qenë një fitore plotësisht e merituar dhe mjaft e bukur, në sajë të lojës sulmuese, por edhe në saj të përkushtimit të të gjithë lojtarëve, duke mos bërë përjashtime.”
“Kjo fitore e ka ngritur së tepërmi moralin e këtij ekipi, që një javë më parë ishte shumë i ulët, – ka vijuar ai. – Ndonëse kam patur në dispozicion vetëm dy ditë kohë për t’u njohur me lojtarët, por duke ditur se mjaft lojtarë të Burrelit unë i njihja dhe ua dija stilin e lojës, bëra të mundur që të bllokoja lëvizjet e tyre, duke marrë edhe frytet e kësaj taktike të përdorur.”
“Shpresoj dhe më japin zemër e vullnet loja e ekipit në këtë takim, për të mbajtur premtimin që skuadra të renditet në mesin e artë të tabelës”, – ka përfunduar trajneri i ri i Kamzës, Ylber Zani.