Gjergj Vyshka 15.01.2015 17:55
Duke folur për mediat pas barazimit 0-0 me Dinamon, trajneri i Kamzës Ylber Zani është shprehur i kënaqur me atë që pa nga lojtarët e tij në fushën e blertë. “Në krahasim me ndeshjen e parë me Laçin, të cilën e kemi luajtur të shtunën, skuadra ka qenë më e motivuar dhe më e lehtësuar në veprimet e saj”, – ka deklaruar ai.
“Kemi luajtur përgjithësisht mirë dhe në momente të caktuara dhe mund të kishim shënuar, – ka vijuar Zani. – Kemi provuar disa lojtarë të rinj, të cilët kanë dhënë shenja pozitive dhe besoj se do të jenë pjesë e skuadrës. Nuk është koha të diskutojmë tani për mbijetesën në kampionat.”
“Për të shtunën do të kërkojmë një tjetër miqësore. Unë jam i kënaqur me prezantimin e skuadrës përballë një Dinamo me lojtarë cilësor dhe që e meriton të jetë në Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar trajneri i Kamzës Ylber Zani, i cili më parë ka drejtuar edhe Mamurrasin.