AlbanianSport.com 2710/2018 17:05
ASNN – Takimi që ka ngritur siparin e javës së 10-të dhe, bashkëme të edhe të fazës së dytë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka qenë ai midis Kamzës dhe Tiranës dhe që është mbyllur në barazim 1-1 ditën e sotme. Kësisoj, asnjë nga dy ekipet nuk mundi të dalë me një fitore dhe të largojë disi situatën aspak të mirë që po kalojnë, por të dy u detyruan të kënaqeshin me një pikë të vetme.
Bardheblutë e Ardian Memës, ishin më aktivë dhe më kërkues, ndonëse as vendasit e drejtuar nga trajneri elbasanas, Klodian Duro nuk mbetën mbrapa, në kërkim të fitores së munguar prej shumë javësh. Sa i përket golave, gjithçka u zhvillua në pjesën e dytë, kur Tirana kaloi e para në epërsi, në minutën e 64-t, me sulmuesin Sentamu, që mposhti portierin e vendasve, Avdylin.
Kamza reagoi vetëm 5 minuta më vonë dhe ishte japonezi Fukui, që shfrytëzoi një top të grushtuar shumë keq nga portieri bardheblu, Ilion Lika, për ta dërguar në rrjetë dhe për të rivendosur baraspeshën. Pas kësaj ndeshjeje, si Tirana, ashtu edhe Kamza mbeten në të njëjtat pozita në renditje, konkretisht në vendin e 7-të dhe të 8-të, por me ndryshimin se tashmë kanë nga një pikë më tepër, përkatësisht 9 dhe 8.