Gjergj Vyshka 18.12.2014 17:05
Tërbuni i Elvis Plorit, që sipas kryepankinës pukjane ka marrë fitoren e shtatë radhazi, është i pandalshëm dhe në Kamëz. Nga një fillim i vrullshëm i vendësve ka ardhur tek ulja e ritmit me zgjuarsi nga pukjanët dhe më pas goditja e beftë e miqve duke shfrytëzuar dhe gabimet e kamzalinjve.
Një ndeshje e luftuar nga të dy palët, me dëshirën e secilës skuadër për të marrë maksimumin nga kjo sfidë, por që në fund ka fituar fuqia e kryesuesve të grupit të Veriut, të cilët duket se e kanë shtruar “autostradën” e tyre për të qenë për herë të parë në historinë e tyre në Kategorinë Superiore.
Por, nëse në fushë gjërat kanë qenë normale, atje ku loja e fortë dhe kartonët nuk e kanë rënduar situatën, problemet kanë ardhur nga lart. Kështu në fillimin e ndeshjes, deputeti Mark Frroku, i cili është njëkohësisht dhe donator i Tërbunit, është përfshirë në një përplasje verbale në tribunën VIP me një tifoz të Kamzës.
Është dashur ndërhyrja e personave të tjerë, por dhe e policisë që të shmangen përplasjet fizike. Por ajo që është bërë shqetësuese kanë qenë kapsollat e hedhura në fushë nga tifozët e skuadrës mike, Tërbunit, që vetëm pas thirrjes së portierit Gjokoviç kanë pushuar.