AlbanianSport.com 30/10/2018 13:25
ASNN – Kamza vlon nga brenda, teksa ndodhet në kuotën e 8 pikëve në Kategorinë Superiore, në vendin e parafundit të renditjes, duke lënë pas vetëm Kastriotin me 4 pikë. Pra pozitat e Kamzës janë të dobëta dhe kërkohet reflektim. Në ndeshjen e fundit në kampionat, atë të javës së 10-të kundër Tiranës, Kamza barazoi 1-1, një rezultat i pranueshëm për një duel derbi, por në gjirin e klubit janë të pakënaqur.
Ata kërkojnë kthimin e skuadrës tek fitorja dhe ka qenë presidenti Naim Qarri, që në një takim me ekipin gjatë seancës stërvitore të së hënës ka urdhëruar në mënyrë të prerë që ndaj Partizanit objektiv është vetëm trepikëshi. Sipas asaj që raportojnë mediat sportive të ditës, tonet e presidentit kanë qenë jashtë normales, gjë që tregon se trajnerin Klodian Duro e shpëton vetëm fitorja me të kuqtë kryeqytetas.
Madje Qarri e ka cilësuar trepikëshin si kushtin e vetëm për skuadrën dhe trajnerin Klodian Duro. Trajnerit i është bërë e qartë se çfarëdo rezultati tjetër është i papranueshëm dhe e pret shkarkimi. “Fitoni ndryshe largohuni, – u është hakërryer Qarri lojtarëve dhe pjesëtarëve të skuadrës së Kamzës, – jemi në rrezik, skuadra po shkon drejt dështimit të plotë.”
“Dua patjetër fitoren kundër Partizanit dhe nëse dështojmë sërish, atëherë trajneri të shkojë në shtëpi”, – ka përfunduar kreu i klubit të periferisë së kryeqytetit. Ky ultimatum tregon qartë se tek Kamza Duro është në fije të perit dhe mungesa e fitores mund të sjellë shkarkimin e teknikut. “Ne nuk na duhen lojërat e bukura, na duhen pikët, – vijoi Qarri, – ne nuk mund të sakrifikojmë të gjithë ekipin për një njeri.”