AlbanianSport.com 15.10.2016 21:15
ASNN – Kamza siguron fitoren e katërt në po aq javë të luajtura në këtë fillim sezoni të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Të shtunën Kamza ka mundur 2-1 Erzenin, duke kryesuar grupin A, me 12 pikë, falë golave të realizuar nga Morina dhe Ymeri. Për Erzenin goli u shënuar nga Basha. Kështu, Kamza ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Erzenit në ndeshjen e luajtur të shtunën, e cila u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Takimi është dominuar nga vendasit të cilët kalojnë në avantazh me anë të Mario Morinës. Në minutën e 36-të, sulmuesi kryeqytetas gjuan fort me të djathtën në hyrje të zonës së Erzenit dhe 1-0 për Kamzën. Me këtë rezultat mbyllen 45 minuta e para. Në pjesën e dytë, janë sërish vendasit që kanë iniciativën dhe realizojnë edhe golin e dytë, në minutën e 73-të, me anë të Ymerit. Morina gjuan nga larg dhe Ymeri brenda zonës e devijon topin zgjuarsisht në rrjetë. 2-0 për Kamzën.
Dy minuta më pas vjen goli për Erzenin. Një goditje me kokë e Bashës dhe portieri i Kamzës, Gjonikaj, e largon topin, por brenda vijës së portës. Gjyqtari anësor sinjalizon kryesorin Jemini se topi ka kaluar vijën e portës dhe gol. 2-1. Me këtë rezultat ka përfunduar takimi, ndërsa duhet theksuar se Erzeni i mbylli 90 minutat me 9 futbollistë pas daljes me karton të kuq të Bashës dhe Ramizit. Pas kësaj fitoreje Kamza ndodhet në kuotën e 12 pikëve në grupin A të Kategorisë së dytë.
Transmetimet e drejtpërdrejta të veprimtarive sportive në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar do të vazhdojnë të dielën me garën e Çmimit të Madh të Japonisë, në orën 07:00 të mëngjesi, të vlefshme për Botërorin e Motoçiklizmit. Më pas, në orën 14:00 do të transmetohet ndeshja Dinamo-Bylis, e vlefshme për javën e katërt të grupit B të Kategorisë së Parë. Ndërsa në orën 17:00 do të transmetohet ndeshja Tirana-Skënderbeu, e vlefshme për javën e 7-të të Kategorisë Superiore.