AlbanianSport.com 02.08.2016 11:35
ASNN – Kamza në futboll po zhvillon një merkato intensive, pasi në gjirin e saj po afron edhe lojtarë të Kategorisë Superiore. Kryebashkiaku Xhelal Mziu prezantoi dje në zyrën e tij tre lojtarë më emër, të cilët kanë qenë edhe pjesë e ekipeve në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Në praninë e presidentit të klubit të futbollit FC Kamza, Naim Qarri dhe trajnerit të skuadrës Bledar Devolli, Mziu prezantoi tre goditjet e merkato, Jetmir Sefën, Valdano Nimanin dhe Elton Basriu.
Kamza bëri tre goditje të fuqishme me zyrtarizimin e këtyre futbollistëve. Përveç tyre, Kamza ka zyrtarizuar edhe disa futbollistë të tjerë, të cilët do t’i japin cilësi ekipit për arritjen e objektivit kryesor siç është ngjitja e menjëhershme në Superiore. Gjatë prezantimit të tre futbollistëve Mziu u shpreh shumë i kënaqur me nënshkrimin e kontratave me këto lojtarë, të cilët kanë qenë të kërkuar dhe nga ekipe të tjera, ndërsa ata japin garanci për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar.
Sa i përket merkatos së skuadrës edhe trajneri Bledar Devolli është shprehur me supelativa me afrimet e reja dhe për këtë falënderon shumë drejtuesit e Kamzës duke filluar që nga kryebashkiaku Mziu deri te presidenti Qarri. Ai është shumë i kënaqur, pasi pranë ekipit të Kamzës janë ofruar lojtarët që i ka dashur. Synohet që ekipi të kompletohet edhe një qendërsulmues dhe nuk përjashtohet ndonjë surprizë në ditët në vijim. Pak ditë më parë pranë ekipit u zyrtarizuan edhe Frashëri, Boçi dhe Rezi.